Mounir Nasraoui dyshohet se ofendoi dhe pështyu një punonjëse në aeroportin e Barcelonës, ndërsa situata u tensionua aq shumë sa ndërhyri edhe Guardia Civil. Ngjarja ndodhi para udhëtimit për në Londër, ku Lamine Yamal u rendit i treti në garën për “Topin e Artë”.

Një episod i rëndë dyshohet se ka përfshirë Mounir Nasraouin, babanë e yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, në aeroportin e Barcelonës, pak para nisjes drejt Londrës për ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Topi i Artë”. Sipas raportimit të gazetës spanjolle El Español, Nasraoui ndodhej në një kafene të aeroportit Josep Tarradellas Barcelona-El Prat, kur një punonjëse i kërkoi të largonte një xhaketë të vendosur në një hapësirë ku nuk lejohej. Një kërkesë që, sipas të njëjtit burim, shkaktoi një përplasje të menjëhershme mes tyre.

Debati dyshohet se degjeneroi në fyerje dhe përfundoi me një veprim të rëndë nga ana e Nasraouit, i cili thuhet se e pështyu punonjësen në fytyrë. Situata doli jashtë kontrollit dhe kërkoi ndërhyrjen e efektivëve të Guardia Civil, si dhe të personave të pranishëm, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Sipas raportimeve, babai i futbollistit tentoi të hidhte një karrige drejt personave që po përpiqeshin ta qetësonin, duke rrezikuar që përplasja të shndërrohej në një sherr edhe më të rëndë. Ky nuk është rasti i parë kur Nasraoui përfundon në qendër të vëmendjes së mediave për ngjarje jashtë fushës së futbollit. Në gusht të vitit 2024, ai u plagos me thikë në Mataró të Spanjës, ndërsa në maj të vitit 2023 ishte dënuar për një sulm ndaj një stende elektorale. Episodi i raportuar në aeroport rikthen vëmendjen te babai i një prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror, në një periudhë kur Lamine Yamal vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për arritjet e tij sportive.

Top Channel