Grenell: Hiqni taksën 100%/ I dërguari i Trump takon liderët politikë në Kosovë

23/01/2020 15:41

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ua ka bërë të qartë dy partive që janë në diskutime për formimin e qeverisë se duhet ta shfuqizojnë vendimin për masën mbrojtëse 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Por, ai theksoj se kjo duhet të ndodh në të njëjtën kohë kur edhe Serbia ta ndalojë kampanjën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Unë po mundohem të injoroj debatet politike dhe të fokusohem në zhvillim ekonomik dhe për këtë unë kam kërkuar nga z. Kurti dhe do të kërkoj nga çdo lider politik se është shumë me rëndësi që nëse duam të shkojmë përpara me zhvillim ekonomik atëherë tarifa 100 për qind duhet të hiqet. Dhe unë mendoj që kjo duhet të ndodh në të njëjtën kohë kur edhe kampanja për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës të ndalet. Mendoj se këto të dyja janë hapat e ardhshëm “, thotë Richard Grenell.

Këto mesazhe ai ka thënë se do t’i përcjell në Beograd, pasi vetëm arritja e paqes do të sjell zhvillim ekonomik.
“Këto dy gjëra duhet të ndodhin në mënyrë që bizneset të zhvillohen të krijojnë vende të reja pune për rini, këto mesazhe do ti dërgoj edhe në Beograd dhe unë dëshiroj të shoh që të ecim përpara që të ndihmojmë familjet e reja që të kenë punë më të mire dhe situata ekonomike të përmirësohet”, shprehet Grenell.

Pas takimit me përfaqësuesit e LDK-së, Grenell u shpreh se Amerika nuk është e interesuar të përfshihet në mënyrën e krijimit të Qeverisë.

“E përçova të njëjtin mesazh që ne në Amerikë nuk jemi të interesuar të përfshihemi në atë sesi do të formohet qeveria dhe ajo se çfarë jemi të interesuar është zhvillimi ekonomik. E ndava vizionin tim për arritjen e shpejt të qëllimit, ku do e heqim taksën dhe Serbia, të ndal fushatën e saj për mosnjohjen e Kosovës. I shkëmbyem disa ide ekonomike sesi të ecim përpara dhe të krijojmë më shumë energji dhe entuziazëm për vende të punës. Ne biseduam më specifikash për projektet që po vijnë, mendoj se do i kemi disa njoftime në të ardhmen e afërt për më shumë progres kur flitet për vende të punës”, shton Grenell./Alberta Hashani/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA