Orteku i fuqishëm i merr jetën 10 personave, mes viktimave edhe alpinisti që vendosi rekord botëror
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u ka dërguar një letër institucioneve të Bashkimit Evropian, ku shpreh “shqetësimin serioz” për reagimin e disa vendeve anëtare ndaj krizës së emigracionit në Ceuta dhe kërkon një përgjigje të koordinuar në nivel evropian.
Në letrën e tij, Sanchez bën thirrje për mbledhjen urgjente të ministrave të Brendshëm të 27 shteteve anëtare, me synimin për të përcaktuar një strategji të përbashkët për menaxhimin e situatës në enklavën spanjolle.
Kreu i qeverisë spanjolle thekson se mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve anëtare dhe jo vetëm e shteteve që ndodhen në vijën e parë të migracionit.
Sanchez kritikoi reagimin e disa qeverive evropiane, duke e cilësuar atë “asimetrik”. Sipas tij, shumica e vendeve i kanë ofruar Spanjës mbështetje dhe solidaritet, ndërsa të tjera kanë zgjedhur ta sulmojnë Madridin dhe madje kanë kërkuar pezullimin e përkohshëm të Spanjës nga zona Shengen.
Pa përmendur drejtpërdrejt Italinë, ai theksoi se qëndrime të tilla bien ndesh me ligjin evropian, të drejtën humanitare dhe parimin e solidaritetit mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Spanjës deklaroi se situata në Ceuta po normalizohet dhe se “në më pak se 48 orë normaliteti po rikthehet”.
Paralelisht, Italia dhe Danimarka kanë promovuar një letër të përbashkët, të nënshkruar nga 22 vende të BE-së, përfshirë Spanjën dhe Francën, ku kërkohet thirrja urgjente e një videokonference të ministrave të Brendshëm për të vlerësuar situatën dhe për të hartuar një përgjigje të koordinuar evropiane ndaj krizës së emigracionit.
Top Channel