UEFA reagon pas tërheqjes së FIFA-s nga plani për Botërorin, europianët nuk kthehen pas për Infantinon: Ka humbur besimin tonë

01/08/2026 12:37

UEFA ka deklaruar se ka humbur besimin te drejtimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe dështim në mbajtjen e premtimeve, pasi organi botëror hoqi dorë nga plani i debatueshëm për shitjen e aksioneve në kompeticionet e tij te investitorë privatë.

Vendimi i FIFA-s u bë publik të shtunën nga vetë Infantino, i cili konfirmoi se projekti nuk do të vazhdojë. Më herët, UEFA kishte paralajmëruar se do të bojkotonte Kupat e Botës nëse plani do të miratohej, ndërsa kundërshtime kishin shprehur edhe konfederata të tjera.

Në një deklaratë të gjatë, UEFA e cilësoi tërheqjen e projektit si “një fitore për të gjithë futbollin”, por theksoi se kjo nuk mjafton për të rikthyer besimin ndaj drejtuesve të FIFA-s.

“Drejtimi aktual i FIFA-s ka humbur jo vetëm besimin e UEFA-s, por edhe të shumë anëtarëve të tjerë të familjes së futbollit”, thuhet në reagim.

UEFA rikujtoi edhe premtimet që Infantino bëri në vitin 2016 gjatë fushatës për president të FIFA-s, kur premtoi transparencë dhe deklaroi se fondet e FIFA-s duhej t’i shërbenin zhvillimit të futbollit.

Sipas organizmit europian, këto premtime nuk janë mbajtur. “Marrëveshja e errët, e zhvilluar prapa dyerve të mbyllura dhe që u tentua të imponohej, ishte gjithçka tjetër veçse transparente”, thekson UEFA.

Plani i FIFA-s u përball me kundërshtime të forta edhe nga CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC), të cilat mbështetën qëndrimin e UEFA-s.

Ndërkohë, këshilltari i lartë i Infantinos për strategjinë globale, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen duke e cilësuar projektin “një marrëveshje të keqe për futbollin” që do të rrezikonte të ardhmen e sportit.

Top Channel