Viti i Federico Fellinit/ Italia përkujton 100-vjetorin e lindjes së gjeniut të kinematografisë

21/01/2020 12:28

100-vjetorin e lindjes së gjeniut të kinematografisë, Federico Fellini, qyteti I lindjes së tij, Rimini e kremtoi me tortën e preferuar të regjisorit të famshëm italian, “Zuppa Inglese”.

Një show akrobatësh shoqëroi prerjen e saj, duke i dhënë kremtimit të veçantë nota hareje.

Fituesi i numrit rekord të katër çmimeve Oskar për filmat në gjuhë të huaj e revolucionarizoi kinemanë me krijimet e tij përgjatë një karriere të shtrirë në pothuaj gjysmë shekulli. Dhjetëra ceremoni po organizohen këtë vit në Itali e nëpër botë për të kremtuar figurën e njërit prej kineastëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Shumë e kujtojnë për “La Dolce Vita” që ashtu si pjesa dërrmuese e filmave të tij u xhiruan në Studion 5 të Cinecitta-së, në periferi të Romës. Por kryevepra e vërtetë konsiderohet “Amarcord”, një komedi gjysmë autobiografike mbi një djalë adoleshente që rritet në Italinë fashiste të viteve 1930, pikërisht në Rimini, ku ai vetë lindi 20 janarin e vitit  1920.

Qyteti po e shënon veç të tjerash 100-vjetorin e Fellinit edhe me një ekspozitë të veçantë e do të hapë një muze kushtuar regjisorit që ndërroi jetë në vitin 1993.

“Rimini është kudo në kinemanë e Fellinit, peizazhet rurale që ai paraqet janë imazhet e fshatrave të Riminit dhe deti Fellinit, është deti i këtij qyteti”, tha Marco Leonetti që ka ndihmuar në organizimin e ekspozitës.

Kjo e fundit përfshin edhe kostumet më spektakolare nga filmat e tij, ndërsa synon ta zhysë më shumë finesë vizitorin në botën e regjisorit të madh.

 

 

 

 

FOTO GALERI
5/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA