I ftuar ditën e sotme në studion e emisionit “Top Talk”, ishte ish-prokurori Shkëlqim Hajdari.
Në studio u prekën disa tema, një ndër to kishte të bënte me valën e arrestimeve të kryera nga prokuroria e Rrethit Tiranë, për personat e konsideruar si përgjegjës në dhënien e lejeve të ndërtimit pa kriter, ku si pasojë u regjistruan dëme të mëdha gjatë tërmetit të 26-të nëntorit. Kujtojmë që deri më tani janë lëshuar nga prokuroria 38-të urdhërarreste. Tre nga personat e arrestuar janë kryetarë komunash të cilët dyshohen për shpërdorim detyre.
Sipas Hajdarit fajtorë kryesorë sipas tij janë administratorët vendorë, të cilët kanë miratuar leje ndërtimi ndaj subjekteve, me dosje të cilat paraqesin mangësi të mëdha. Dosje që nuk përmbajnë studime sizmologjike, projekte konstruksioni si edhe disa prej tyre nuk përmbajnë as firmat e inxhinierëve që kanë bërë zbatimin e projektit. Rastin e Shqipërisë me abuzimin në ndërtime ish-prokurori e cilësoi si një sjellje barbare. Ai u shpreh se tërmeti që preku Shqipërinë duhet të shoqërohet me një “tërmet ligjor”, duke bërë të mundur në këtë mënyrë parandalimin e ndërtimeve jashtë kushteve, kritereve dhe normave teknike.
“Jo në kuptimin penal por në kuptimin strukturor ai që drejton njësinë vendore cila ka dhënë një leje ndërtimi, jo në kuptimin penal duhet ta sqaroj këtë pjesë, por në kuptimin administrativ. Drejtuesi i njësisë i qeverisë vendore është përgjegjësi kryesor. Sepse pavarësisht se ai nuk është urbanist apo arkitekt. Në fund të fundit një njeri që ka miratuar një leje ndërtimi, nuk i kushton gjë që t’i hedhë një sy dosjes së një subjekti që ka marrë përsipër për të bërë një ndërtim. Aq më shumë kur bëhet fjalë për ndërtime publike që janë pallate. Drejtuesit e njësisë vendore pavarësisht se nuk i ka aftësitë profesionale e kupton që kjo dosje ka mangësi të mëdha nga pikëpamja formale. Një dosje nuk ka studimin e sizmologjisë, një dosje tjetër nuk ka projekt konstruksioni, një tjetër nuk ka firmat e inxhinierëve që ka bërë zbatimin e projektit. Një zyrtar i përgjegjshëm nga pikëpamja administrative duhet të ndihet keq në çdo vend që janë dëmtuar, kanë humbur jetë njerëzish, janë shkatërruar objekte të mëdha sociale publike e të tjerë”, u shpreh ish prokurori.
Më tej ai shtoi:
“Të arrish të provosh shkelje të ligjit prokuroria nuk mundet dot. E gjithë Shqipëria ka qenë në një agresion ndërtimor. Në qoftë se ne jemi guinness (i referohet në mënyrë karahasimore librit të rekordeve guinness, e cila është një libër referimi i publikuar çdo vit, që përmban një koleksion të rekordeve botërore, arritjet e njeriut dhe ekstremet e botës natyrore) në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, ne jemi për sjelljen barbare që kemi bërë për territorin. Më pas gjërat e tjera që i kemi probleme në Shqipëri ekzistojnë, por territorit nuk ke se çfarë t’i bësh më, sepse territorin e ke shkatërruar, e ke zbatuar, e ke dëmtuar dhe kjo është gjë që duhen dekada për ta riparuar. Gjithsesi unë mendoj se prokuroria ka bërë hetime edhe kur ka pasur raste për ndërtime pa leje. Për ndërtimet pa leje prokuroria ka vite të tëra që procedon dhe dërgon në gjyq njerëz edhe të dënuar penalisht, pa diskutim për këtë gjë ka me dhjetëra dosje. Por kjo situata e tërmetit që na ndodhi neve, kjo do duhet të shoqërohet me një “tërmet” ligjor. Është detyrë e qeverisë, është detyrë e ekspertizës që ne tashmë të mos ndërtojmë ligje dhe nene rregullore për të qenë brenda, por ato që i kemi t’i selektojmë. Në këtë mënyrë t’i mos t’i shkojë njeriu ndërmend që mundet të marrë një leje ndërtimi, jashtë kushteve, jashtë kritereve, jashtë normave teknike dhe kështu me radhë”, tha Shkëlqim Hajdari.
Top Channel