VIDEO/ Kamera në mes të shkurreve, si u zbulua parcela me kanabis në një fshat të Fushë-Krujës, arrestohen dy persona

22/07/2026 12:11

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Krujës pasi u kapën duke kultivuar bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në një parcelë në fshatin Zgërdhesh, fshat i Fushë Krujës.

Të arrestuarit, të cilët sipas policisë kanë precedentë të mëparshëm për të njëjtën veprimtari kriminale, po përgatiteshin të kultivonin edhe bimë të tjera narkotike në të njëjtën zonë.

Operacioni i koduar “Kushtet” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Fushë Krujë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi me metoda proaktive për dokumentimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë ndërhyrjes në parcelën e dyshuar në fshatin Zgërdhesh, efektivët kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasit me iniciale K. B., 52 vjeç, dhe A. S., 54 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë.

Në parcelë u gjetën dhjetëra bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nga policia përmes djegies. Gjithashtu, gjatë kontrollit u konstatua se të dyshuarit kishin përgatitur terrenin për kultivimin e bimëve të tjera narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Top Channel