Mediat iraniane kanë publikuar një foto të Rob Macaire, ambasador i Britanisë në Teheran, pak pasi ishte raportuar për arrestimin e tij. Macaire shihet brenda një makine, por foto nuk tregon më shumë detaje.

3 orë u mbajt i arrestuar ambasadori britanik, ndërkohë që Londra e konsideroi veprimin e autoriteteve iraniane si “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Rob Macaire u akuzua për nxitje të protestave antiqeveritare, të cilat shpërthyen dje në Iran pas homazheve të kryera për 176 viktimat e avionit ukrainas. Liderët iranianë pranuan se avioni u rrëzua gabimisht nga një raketë, për shkak se po fluturonte afër bazës ushtarake në Teheran.

Por homazhet për viktimat u kthyen menjëherë në protesta antiqeveritare me njerëzit që thërrisnin “vdekje diktatorit”.

Ambasadori Macaire ishte i pranishëm në homazhe dhe mediat britanike raportojnë se ai ka filmuar protestat në rrugë. Sipas mediave, Macaire u arrestua pak pasi kishte hyrë te berberi për të prerë flokët.

Regjimi i Republikës Islamike është vendosur në një pozicion tepër delikat pas goditjes së avionit ukrainas. Protestat antiqeveritare kanë muaj që zhvillohen në të gjithë Iranin, ndërkohë që organizata të ndryshme ndërkombëtare raportojnë për qindra viktima. Vrasja e gjeneralit Qassem Soleimani dhe pamundësia për t’ju kundërpërgjigjur SHBA-së, si dhe incidenti i fundit me avionin po vënë në provë qëndrueshmërinë e regjimit.

FOTO GALERI
2/12

Top Channel