Pas disfatës së pësuar në Kupën e Mbretit nga Valencia skuadra e Barcelonës dështoi gjithashtu edhe në Superkupën e Spanjës, një aktivitet tepër i pasur, për të cilin katër ekipet më të mira të sezonit të kaluar të këtij vendi përshkuan më tepër se 4.000 kilometra, për të mbërritur deri në Jeddah, në Arabinë Saudite, ku drejtuesit më të lartë fituan më në fund të drejtën për të pritur një kompeticion të tillë, duke joshur presidentin e Federatës Luis Rubiales me një kontratë marramendëse, prej plot 120 milionë eurosh në tre vjet.
Roma dhe Liverpuli nuk janë harruar ende dhe madje vështirë se do të largohen shpejt nga kujtesa e gjithë fansave të skuadrës “blaugrana”. Në harkun e dy viteve të fundit klubi katalan ka pësuar zhgënjime të mëdha, që janë regjistruar falë gabimeve trashanike në mbrojtje si dhe bllokimit të pakuptueshëm në aspektin psikologjik, disfata që mund t’i kushtojnë vendin e punës trajnerit Ernesto Valverde.
Pas përmbysjes befasuese të Atleticos ekipi i Barcelonës mori pa humbur kohë rrugën e kthimit për në atdhe. Një ndeshje e dominuar për afërsisht 80′, ku në mënyrë të habitshme treshja Messi – Suarez – Griezmann qëndroi e paprekur deri në fund, në një kohë kur në Jeddah, në gjysmëfinalen e Superkupës, formacioni katalan kishte avantazhin 2-1 për të mbrojtur. Duket sikur vetë 55-vjeçari nga Extremadura është i pafuqishëm dhe ligjin e bëjnë pikërisht futbollistët kryesorë, sepse është vërtet tepër e vështirë për t’u kuptuar që Barça hedh në erë për të disatën herë një avantazh të konsiderueshëm, për më tepër në një takim të dominuar, duke sakrifikuar në mënyrë të habitshme me mbajtjen në fushë të tre lojtarëve që nuk e ndihmojnë skuadrën në fazën mbrojtëse.
Pavarësisht përgënjeshtrimeve, trajneri Valverde rrezikon ndjeshëm, megjithëse, për hir të së vërtetës, alternativa për këtë skuadër nuk është se ka shumë. Edhe rruga e kthimit nga Jeddah për në Barcelonë u shoqërua pa entuziazmin e përhershëm dhe me fytyra të mërzitura e me panikun për një pezullim të menjëhershëm të trajnerit Valverde. Nga Aeroporti El – Prat i Barcelonës skuadra udhëtoi menjëherë drejt Qendrës Sportive në Sant Joan Despi, për të marrë gjithësecili makinën e tij.
Lojtarët do të kenë mundësi të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe të pushojnë për tri ditë, sepse seanca e parë stërvitore e ekipit pas disfatës me Atleticon e Madridit do të bëhet vetëm ditën e hënë, pasi takimin e parë në Primera Division Barça do ta ketë më datë 19 janar, në “Camp Nou”, me skuadrën e Granadës. Një periudhë pushimi sa e papritur po aq edhe e pamerituar, për më tepër në një kohë kur ambienti “blaugrana” është ndarë më dysh në lidhje me të ardhmen e Valverdes. Drejtuesit, futbollistët dhe sidomos ai që vendos, kapiteni Leo Messi, duken kompaktë në qëndrimin e 55-vjeçarit të paktën deri në fund të sezonit, ndërsa gazetarët e mendojnë krejt ndryshe.
I pyetur në një intervistë menjëherë pas ndeshjes Messi nuk pranoi të fliste për një kthim të “fantazmave së të kaluarës”, por gjithsesi i bezdisur kapiteni u mundua të tregohej i përmbajtur.
Roma, Liverpooli dhe tashmë Atletico e Diego Simeones, tri humbje sa të rënda po aq edhe të paprituara. Nëse nuk bëhet një analizë e detajuar dhe një reflektim në masën e duhur “black out”-i i radhës rrezikon të përsëritet prapë, madje shpejt në kohë.
Lionel Messi dha maksimumin dhe e bëri më së miri punën e tij, por askush nuk është në gjendje të thotë se çfarë mendon në të vërtetë, kur kapiteni premton se trajneri nuk preket. Është e vështirë për t’u kuptuar, në fakt, edhe se çfarë ndodhi realisht në duelin me Atleticon, sepse “Los Colchoneros” u shpëtuan për minuta të tëra nga portieri i tyre Oblak, ndërsa në fund Pique bashkë me mbrojtësit e tjerë u shndërruan në qesharakë dhe futbollistët patën një rënie të menjëhershme, aq sa mezi lëviznin në fushën e lojës.
Radioja më e madhe katalanase, RAC 1, pas ndeshjes nxori lajmin se Valverde do të shkarkohet të hënën e ardhshme, ndërsa zyrtari i klubit, Guillermo Amor, përgënjeshtroi pa humbur kohë, duke lënë të kuptohet, pak a shumë, edhe opinionin e drejtuesve të tjerë “blaugrana”, gjithsesi deri ditën e hënë zërat mund të shtohen akoma më tepër.
Problemi më i madh, sa i përket një shkarkimi të mundshëm të Ernesto Valverdes, lidhet me mungesën e alternativave. Ish-kapiteni i Barçës, Ronald Koeman, përbën një kandidaturë të fortë dhe 56-vjeçari, që aktualisht drejton përfaqësuesen holandeze, ka qartësuar se ka një klauzolë në kontratën e hartuar me Federatën, që mund ta lërë të lirë në çdo kohë, në rast se thirret në apel nga Barcelona, por në mënyrë të kuptueshme ish-qendërmbrojtësi i famshëm do të duhet të heqë dorë nga finalet e kampionatit të ardhshëm evropian.
Massimiliano Allegri ka thënë përherë se nuk ka ndërmend të impenjohet përpara muajit korrik, për më tepër trajneri toskan po mendon gjithmonë e më tepër për ekipin e Milanit. Xavi është pothuajse i pashpresë, sepse nuk ka një raport shumë të mirë me drejtuesit aktualë të klubit “blaugrana”, ndërsa Mauricio Pochettino është gat -gati një emblemë e rivalëve të Espanyolit dhe trajneri argjentinas nuk e ka fshehur kurrë simpatinë e tij për kryeqytetin spanjoll.
Pra, të gjitha këto bëjnë që fryma e pasigurisë për të ardhmen të shtohet, prandaj edhe për momentin trajneri Ernesto Valverde mund të vijojë në timonin e nxehtë të klubit katalanas.
Supersport.al
Top Channel