Anila Hoxha

Britania e Madhe ka përfshirë prokurorinë shqiptare në një sërë veprimesh hetimore sa i takon një dosjeje për trafik armësh, të hapur nga zyra e të ardhurave dhe doganave në Mbretërinë e Bashkuar. Nën hetim janë dy shtetas dhe një kompani eksporti.

Top Channel mëson ekskluzivisht se hetimet, që po zhvillohen nga Elspeth Pingel, kërkojnë të hedhin dritë mbi aktivitetin në fushën e armëve nga 2009 deri në 2016 dhe për këtë shkak kërkohet marrja në pyetje e një sërë personash që kanë dijeni për çështjet e armëve në Shqipëri.

Siç burimet pohojnë ekskluzivisht, pala britanike vë në dijeni akuzën shqiptare se hapja e hetimeve penale lidhet me trafikimin dhe ndërmjetësimin e supozuar të mallrave ushtarake ndërmjet Shqipërisë, Ugandës dhe Sudanit Jugor, të kryer pa një licencë të vlefshme, dhe në kundërshtim me kontrollet e eksportit dhe tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Dosja gjendet nën hetim pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK, ndërsa përgjatë gjashtë muajve është mbajtur nën kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Top Channel mëson ekskluzivisht se britanikët kërkojnë nga akuza shqiptare të sekuestrojë dokumenta, por edhe korrespodencën që ka të bëjë me dërgimin e 10 mijë kallashnikovëve, 10 mijë aksesorëve, 40 mijë karikatorëve, 1 milion e 270 mijë municioneve dhe 100 pistoletave makarov për në Sudanin Jugor.

Kjo gjë, sipas dyshimeve, mund të ketë ndodhur gjatë periudhës 2009 deri në 2016, dhe mund të jetë kryer nga dy shtetas nën hetim dhe një shoqëri e cila dyshohet t’i ketë nisur nën emrin e njësisë ushtarake të Forcave Popullore të Mbrojtjes së Ugandës.

Njëri nga të hetuarit është me shtetësi greke bëjnë me dije burimet, ndërsa tjetri me shtetësi britanike, dhe pak vite më parë ata kanë udhëtuar drejt vendit tonë, por edhe kanë patur aktivitet biznesi në Shqipëri. Mes të tjerash britanikët kërkojnë dokumentacionin që i është depozituar palës shqiptare përmes të cilit autorizohen shtetasit në fjalë për të dërguar mallra nga Tirana për në Juba dhe Sudanin Jugor, ngjarje të dyshuara të kenë ndodhur duke përdorur edhe rrugën ajrore gjatë vitit 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA