Zakonisht e lidhim markën Sony me kasetofonët e famshëm, laptopët Vaio, televizorët apo konsolën e lojërave PlayStation.

Por, gjiganti teknologjik, ka vërtetë një mori produktesh të reja për të prezantuar këtë vit, përfshirë edhe atë më të paimagjinueshmen dhe të papriturën, një makinë. Sony e ka quajtur atë Vision-S dhe prototipi i prezantuar është tërësisht elektrik, me një sistem të avancuar autonomie dhe një dizajn që të sjell në mendje një përzierje mes një Porsche Taycan dhe një Lucid Air.

E krijuar mbi të gjitha për të treguar se çfarë Sony mund të bëjë, edhe në fushën e teknologjisë së automobilëve, makina është prodhuar në bashkëpunim me emra të mëdhenj si Nvidia, Continental, Bosch, ZF, dhe Qualcomm. Sedani me emetime zero është i pajisur me më shumë se 33 sensorë që pikasin njerëzit apo objektet jo vetëm jashtë makinës, por edhe brenda kabinës me katër vende dhe me një tavan gjigant xhami, mbi kokë.

Sony nuk ka hyrë shumë në detaje teknike por ka bërë të ditur se Vision-S ka 268 kuaj fuqi, motor elektrik që çon në arritjen e shpejtësisë 100 km në orë në 4.8 sekonda dhe një shpejtësi maksimale prej 240 km në orë.

/Ardita Becolli/

Top Channel