Pas Resë, Tiranës i shtohet “La Radura”, Veliaj: Një ikonë tjetër për kryeqytetin, kemi nisur rikuperimin në kohë rekord

19/12/2019 20:45

Tiranës i shtohet një tjetër destinacion interesant, ku qytetarë, organizata e institucione të ndryshme mund të organizojnë takime e evente të ndryshme në një ambient të hapur.

Në parkun pas godinës së Kryeministrisë është përuruar sot instalacioni “La Radura” e arkitektit të njohur italian, Stefano Boerit. Të pranishëm në inaugurimin e kësaj vepre artistike që me shumë gjasë do kthehet në një tjetër ikonë për kryeqytetin, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, arkitekti Stefano Boeri, ministra, arkitekt e urbanist të ndryshëm.

Teksa hapi këtë takim, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke falënderuar arkitektin Boeri për realizimin e kësaj vepre, solli në vëmendje faktin se ajo vjen tërësisht në elementët e drurit, duke u përshtatur më së miri me ambientin përreth.

“Jam sot shumë i lumtur që vepra e Stefano Boerit që quhet Radura është në këtë lulishte midis Kryeministrisë, AKSH dhe Piramidës së ardhshme e cila do jetë një hapësirë teknologjike dhe them që për të gjithë ata që punojnë përreth por edhe për këdo që jashtë orarit të punës do donte të kishte një hapësirë të ngjashme me Renë, për një natë poezie, koncert recital, për një debat, ndoshta mund të ishte Kodi, outdoors pra ajo që ndodh tek Kodi edhe si një hapësirë edhe për të kritikuar e debatuar me qeverinë, mund të jetë një Kod outdoors si ky që kemi këtu te Creatura”, tha Veliaj.

Më tej ai theksoi se “La Radura” në Tiranë, ashtu si edhe në Amatriçe të Italisë, megjithëse rastësisht vjen në mënyrë simbolike edhe si pjesë e procesit të rindërtimit pas tërmetit.

“Për koincidencë sot zbulova me Stefano që vepra e dytë e ngjashme e Radurës rastësisht është në Amatriçe. Ishte si pjesë e procesit të shërimit dhe rindërtimit të Amatriçes si një ndër zonat më të dëmtuara nga tërmeti I kaluar në Itali, një zonë që gjithashtu pas emergjencës u përball me gjithë procesin e rindërtimit dhe ku kjo akupunturë urbane, pra kjo pineskë, gjilpërë me kokë, si në rastin e Radurës është edhe në Amatriçe. Në fakt rastësia është komplet pjellë e një trilli të koincindencës se ne e kishim porositur veprën para tërmetit sigurisht dhe kur po reflektonim sot me Stefanon se si ndonjëherë edhe kjo lloj akupunture është pjesë e procesit të shërimit menduam që ishte vërtet një rastësi që edhe në Amatriçe dhe në Tiranë të kemi një instalacion të tillë”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se është e domosdoshme që të përcillet kudo mesazhi i ringritjes, pasi sipas tij sa më shumë të zgjatet faza e përballimit të fatkeqësisë aq më i vështirë do jetë rikuperimi. “Jemi ndoshta një ndër rastet më unike në botë, përfshirë edhe krahasimin me Italinë, ku për 10 ditë, dy javë filluam kopshte, shkolla, çerdhe, rifilluam një proces rindërtimi në disa nga shtëpitë mobile që kemi bërë dhe vizituar me kryeministrin apo këto shtëpitë që janë bërë shumë shpejt pas tërmetit të parë”, – shtoi Veliaj.

Takimi për inaugurimin e “La Radura-s” shërbeu gjithashtu edhe për zhvillimin e një debati të hapur ndërmjet arkitektëve shqiptarë dhe të huaj mbi projektimin e lagjeve të reja, për strehimin e të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA