Monika Stafa
10 Downing Street është ndoshta ndërtesa e dytë më e rëndësishme qeveritare në botën perëndimore pas Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, ndryshe nga rezidenca e madhe qeveritare në Uashington e ndërtuar në stilin neoklasik, rezidenca e kryeministrit britanik (ndërtuar mes viteve 1682- 1684 nga Sir George Downing) është e vogël, e thjeshtë dhe e futur pas ndërtesave shumë më të mëdha në një rrugë anësore në Londër. Pavarësisht nga përmasat e saj relativisht të vogla, ndërtesa ka funksionuar si selia e pushtetit ekzekutiv dhe rezidenca zyrtare e kreut të qeverisë britanike për më shumë se 300 vite. Ajo është përdorur për herë të parë në vitin 1735 si rezidenca e qeverisë.
Për shkak të historisë së saj të gjatë, Downing Street u kthye ngadalë në vendin që u quajt më vonë në këndin më me ‘ndikim kulturor’ të Londrës ose atë soft power. Shumë prej nesh mund të kujtojnë fare mirë shkallët e verdha,ku në murin ngjitur ishin vendosur portretet e kryeministrave britanikë ndërsa Hugh Grant vallëzonte nën kërcimin e tij ikonik, e quajtën kritikët atëkohë në filmin “Love Actually” (2003). Nëse do të shohim përtej këtij kërcimi të Grant, këto foto më shumë se për nga arti që ofrojnë janë varur aty për të përcjellë vijën kronologjike të krerëve të shtetit britanik: nga Robert Gascoyne-Cecil (kryeministër në periudha të ndryshme midis 1885 – 1902) deri tek Tony Bler (kryeministër ndërsa filmi xhirohej).
Menjëherë sapo një kryeministër e lë dëtyrën, portreti i tij/e saj shtohet në mur ndërsa të gjitha të tjerat shtyhen më tej. Cdo personalitet i këtij kalibri kur merr detyrën duhet të ecë në këto shkallë, për t’i treguar vetes se suksesi që ai ka mbërritur deri aty nuk është plotësisht e tij por një sukses i historisë së Britanisë. Jo pa qëllim vecojnë kritikët përse në Shtëpinë e Bardhë gjenden portrete në përmasa të mëdha të liderëve të vendit, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, shihen vetëm gravura modeste dhe fotografi fantazmash të Downing Street. Kjo sipas tyre e ka një shpjegim i cili mbetet të jetë politik.
Sidoqoftë, jo i gjithë arti në 10 Downing Street është i paracaktuar. Kryeministri, familja si dhe shërbyesit e tij kanë hapësira të tjera për të imponuar shijet e tyre estetike në ndërtesë. Një pikturë e realizuar në vitin 2012 gjatë qeverisjes së David Cameron, p. sh., shfaq Panairin e Lancashire të L. S. Lowry-it: Lancashire Fair: Good Friday, Daisy Nook, 1946 në krye të shkallëve -pikërisht pas banorit të dashur të familjes, maces me emrin Larry. Me marrjen e detyrës, Theresa May, me një frymë shumë më të qartë pushteti, në të gjithë 10 Downing Street vendosi citate nga fjalimi i saj kryeministror në kornizë.
Shumë zyrtarë të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar mund të kërkojnë të ekspozojnë art në zyrat e tyre, ambasadat dhe ministritë po ashtu, duke u mbështetur kryesisht në Koleksionin e madh të Artit të Qeverisë. Koleksioni u themelua në vitin 1899, kur një ministër qeverie shpenzoi shumën e vogël prej 150£ teksa blinte art për të ndriçuar zyrat e errëta në Whitehall. Koleksioni numëron tani më shumë se 14,000 vepra arti në qarkullim në mbi 365 ndërtesa të tilla në të gjithë globin. Në funksion të tij, ai ka si moto rolin e konotacioneve estetike dhe të pushtetit të butë që arti ofron. Në website-n e tij shkruhet: “Ndërsa Britania është larguar prej konfliktit … pushteti i butë dhe diplomacia kulturore janë bërë shprehje gjithnjë e më e rëndësishme kombëtare dhe politike. Një ekspozim i menduar dhe strategjik i artit në një ndërtesë qeveritare ose në një ambasadë është një medium i fuqishëm”.
Britania, duket se kohët e fundit ka hyrë në një periudhë në të cilën “diplomacia kulturore” shfaqet me një rëndësi të posacme: Brexit. Njeriu i emëruar nga Partia Konservatore për të nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga Evropa, është Boris Johnson, një individ i përshkruar prej biografit të tij zyrtar, Andrew Gimson, si “më letrar në fjalimet e tij sesa i pashëm”. Dhe kjo ka një të vërtetë në mes. Cili lider tjetër i një shteti modern ka debatuar me një profesor të Kembrixhit për meritat krahasuese të Greqisë antike dhe Romës së lashtë?
Biografi i tij Gimson, thotë se B. Johnson e ka kultivuar me vetëdije këtë estetike klasike që prej kohës së universitetit, kur ai mbante një bust të Perikliut që e merrte gjithandej. Perikliu ishte një burrështeti dhe orator i lashtë grek i cili mori pjesë edhe në Luftërat e Peloponezit. Ndaj dhe Gimson shtoi se kjo zgjedhje e dekorimit të brendshëm konsiderohet “pjesërisht një shaka, por po aq serioze gjithashtu”.
Edukimi klasik i Johnson-it dhe retorika e tij referenciale ka qenë gjithmonë drejtuar fjalimeve populiste dhe izolimit të krahut të djathtë. Kapaciteti i tij i qartë me gjuhën që ai përdor shfrytëzohet për të nxitur debate kontroversale, si p.sh. ai lidhur me “jelekët që vetëvrasin” dhe të tjerë që “vdesin duke luftuar deri në frymën e fundit për një betejë të humbur”. Leksiku i tij letrar u paraqit krejt i kundërt me stilin e përmbajtur të Jeremy Corbyn, udhëheqësit të opozitës, në debate të ndryshme derisa coi në Zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit.
Ndërsa Johnson shfaqet i jashtëzakonshëm në fjalimet e tij me metaforat artistike, po ashtu ai dallon për një shije vizuale që po e ushtron deri diku në 10 Downing Street. Nëna e tij, Charlotte Johnson Wahl, është piktore ekspresioniste; babai i tij, Stanley Johnson, është autor, konsulent mjedisi dhe ish- politikan; ndërsa gruaja e tij e parë, Allegra Mostyn-Owen është mësuese arti. Është pra, e pamundur që ai të mos ndikohej nga ata që e njihnin dhe e ushtronin artin përreth tij.
Po çfarë është varur në 10 Downing Street që prej 24 korrikut, kur B. Johnson u bë kryeministër. Kanë qenë rreth 67 vepra arti të vendosura në 10 Downing Street që nga kjo datë. Ato janë kryesisht piktura, një përzierje e gjerë me peizazhe të shek. XIX-të, si dhe abstraksione bashkëkohore. Punimet e varura në 10 Downing Street në mandatin e Johnson përfshijnë vepra nga Julian Trevelyan, David Dawson, post-impressionisti Henry Lamb, Paul Nash, një artist surealist, etj. Po cfarë duket se është varur tjetër në këto mure të 10 Downing Street janë disa karikatura të Nicholas Garland të quajtur ‘Annabel’ (1985). Garland është një karikaturist që ka lidhje me të njëjtat botime që përcaktuan karrierën e hershme të kryeministrit. Të dy kanë punuar në Daily Telegraph, ku Johnson ishte një gazetar i ri dhe korrespondent në Bruksel. Në një seri prej 14 printimesh elegante të Garland, të gjitha në të zeza dhe të bardha (vetëm një është me ngjyrë të kuqe), portretizohet jeta e një klubi nate aristokratik në mesin e viteve 1980.
Një numër i atyre pamjeve tregojnë anën joshëse të shoqërisë së lartë të viteve 1980. Botimi i parë në seri, shfaqet me një parathënie të Lucian Freud. Aty duket një grua e re duke kërcyer me një burrë të moshuar. Ky është një botim relativisht me një ton të zbutur në dukje dhe estetikisht mjaft tërheqës, por vendosja e tyre në 10 Downing Street hap një debat që e kalon fuqinë kulturore dhe prek institucionet. Cfarë ështe duke u planifikuar?
Pushteti i butë ia vlen dhe ka absolutisht fuqinë e tij të shpartallojë barriera. Johnson, gjithsesi pavarësisht se në dukje ruan pamjen e një xhongleri politik kontroversal dhe krejt të pathyeshëm në debate, ka nevojë për vullnetin e mirë të atyre që hyjnë në shtëpinë e tij vecanërisht nëse ai dëshiron të qëndrojë atje edhe më gjatë se të tjerë.
Top Channel