Një vit pas miratimit të ligjeve për Ushtrinë e Kosovës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka bërë një vizitë në Ministrinë e Mbrojtjes ku ka pranuar edhe raportin një vjeçar të punës, nga ministri Rrustem Berisha.
Haradinaj ka vizituar edhe klubin e oficerëve ku ka deklaruar se një vit pas miratimit të ligjeve, Kosova është në rrugën e duhur dhe po shkon në hapa të sigurt. Gjatë kësaj vizite, kryeministri ka ndarë edhe medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” për komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili tha se janë që të kontribuojnë në misione paqeruajtëse.
“Besoj që sot pas një viti mund t’i premtojmë qytetarëve të Kosovës, mund t’i premtojmë palëve, partnerëve tonë, se po, po shkojmë në hapa të sigurt, në drejtim të duhur dhe po arrijmë objektivat e parpara, të deklaruara në bazë të vendimit të deputetëve një vit më herët. Ne jemi në drejtimin e duhur, në dinamikë e duhur dhe sigurt po ecim”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se Kosova i takon rreshtit të ushtrive të udhëhequr nga Amerika dhe synojnë aftësimin që të anëtarësohen në NATO.
“Unë para dy ditësh kam thënë që jetojmë në Ballkan dhe në Ballkan kurrë nuk përjashtohet lufta, jo pse ne e dëshirojmë ndonjë luftë, ose e nxisim, ose e mirëpresim, ose të jemi shkaktarë të ndonjë lufte, ne dëshirojmë me punu që me qenë të zot me u mbrojt dhe kurr mos me ardh deri të lufta, kjo është dëshira jonë dhe ky është qëllimi ynë si Kosovë, për këtë arsye ne synojmë edhe rreshtimin tonë me ushtritë e paqes, ushtrive të botës që i prinë Amerika, ne i takojmë këtij rreshti dhe aftësohemi me u anëtarësu ne NATO në afatin më optimal kohor”, tha Haradinaj.
Aty, Haradinaj ndau medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” për shërbim të shkëlqyeshëm ndaj atdheut, për komandantin e FSK-së, të cilën tha se ua dedikon të gjithë atyre që janë në uniformë.
Edhe gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se medaljen ua dedikon të gjithë ushtarëve të FSK-së, pa të cilët tha se Forca nuk do të arrinte sukseset.
Ai edhe njëherë shprehi gatishmërinë e Forcës që të kontribuojë në misione paqeruajtëse.
“Unë ia dedikoj këtë mirënjohje Forcës së Sigurisë së Kosovës, pa këta djem dhe këto vajza ne nuk do të ishim këtu ku jemi. Falë angazhimit, përkushtimit dhe disiplinës, profesionalizmit të treguar ne jemi sot këtu. Është edhe një angazhim shtesë jo vetëm për mua personalisht, por për të gjithë Forcën e Sigurisë që në të ardhmen t’i kryejmë detyrat dhe obligimet tona bazuar në mandatin dhe misionin e ri, dhe u siguroj që do të jemi të gatshëm në çdo kohë, në çdo moment çfarëdo vështirësie që i paraqitet qytetareve të vendit së pari, por edhe jemi të gatshëm të kontribuojmë në misione paqeruajtëse”, tha Rama.
Më 14 dhjetor të 2018-ës, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar pakon e ligjeve për ushtrinë e Kosovës; ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Shërbimin në FSK, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes.
Me këtë nisi rruga e tranzicionit të FSK-së, ku sivjet Forca zyrtarisht kaloi në mandatin e ri që është mandat ushtarak mbrojtës./G.Kadrija/Kosovapress
Top Channel