Në Kosovë në vitin 2018 janë të regjistruara rreth 347229 automjete. Nga ky numër 70957 automjete janë të prodhuara para vitit 1994, përkatësisht 20.43 % nga numri i përgjithshëm i tyre dhe që kanë moshë më të vjetër se 24 vjet nga totali i regjistrimit në vitin 2018, ndërsa 131185 automjete janë më të vjetra se 18 vite, apo 37.78% nga totali i regjistrimit të vitit 2018.
Këto të dhëna janë paraqitur në një shkrim të autorëve Prof. asoc. dr. Ferat Shala & Msc. Liridon Sejdiu, të cilët po ashtu njoftojnë se 88.97% e veturave të regjistruara në Kosovë janë më të vjetra se 10 vite.
Në shkrim vlerësohet se është e domosdoshme zbatimi i parimeve të euro-standardeve në procesin e kontrollit teknik të automjeteve dhe largimi nga qarkullimi i veturave që nuk i plotësojnë këto standarde.
Shkrimi i plotë:
Automjetet dhe mjedisi
Njëri nga faktorët themelorë të sigurisë në komunikacion është edhe automjeti. Ky faktor për nga rëndësia dhe pjesëmarrja e tij në komunikacion llogaritet si faktor i dytë i rëndësishëm pas faktorit njeri. Nisur nga ky fakt shumë institucione shkencore dhe akademike por edhe institucione shtetërore dhe menaxhuese e kanë automjetin temë trajtimi dhe hulumtimi. Me rëndësi të veçantë janë sidomos hulumtimet që ndërlidhen me ndikimin e automjetit në jetën ekonomike, sociale dhe zhvillimore të shoqërisë.
Automjeti si faktor i sigurisë është mjaft kompleks. Kompleksiciteti varet kryesisht nga fakti se sa faktori njeri e trajton seriozisht faktorin automjet dhe përdorimin e tij në kushte dhe rrethana të ndryshme. Shpeshherë faktori njeri duke i parë vetëm të mirat dhe përparësitë e automjetit nuk i vëren dhe nuk i trajton dobësitë, të metat, rreziqet apo shkallën e ndotjes së mjedisit që vjen si rezultat i përdorimit të automjetit.
Qëllimi i këtij shkrimi është të ofrojë disa opinione analitike për relacionin e faktorëve ndikues të automjetit dhe kompleksicitetin e tij në territorin e Kosovës e me theks të veçantë ndikimi i tij në ndotjen e mjedisit.
Automjeti si nevojë e shoqërisë dhe problemet përcjellëse
Automjeti si nevojë e shoqërisë në Kosovë ka pasur një hov të madh zhvillimi, veçanërisht në dy dekadat e fundit, për shkak të rrethanave që shteti i ri i Kosovës ka kaluar në këto dy dekada. Mirëpo ky proces është shoqëruar edhe me shume probleme. Këtu në radhë të parë llogaritet importi i makinave që në Kosovën e pasluftës ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe i pakontrolluar nga institucionet shtetërore.
Në një fazë të caktuar ky fenomen ka arritur në pikën kur numri i madh i automjeteve në Kosovë ka filluar të paraqitet edhe si problem serioz jo vetëm në sigurinë në trafik por edhe në një problem serioz mjedisor për shkak të ndotjes së mjedisit që krijojnë automjetet e vjetra. Kjo ndotje manifestohet jo vetëm me lirimin e gazrave ndotëse në ajër por edhe si material skrap duke krijuar shumë deponi (varreza të automjeteve të vjetra), që paraqesin një problematike në fushën e mjedisit. Numri i madhe i automjeteve ka pasur ndikim negativ po ashtu edhe në tregun e automjeteve duke krijuar një treg jashtëzakonisht kontravers e të dyshimtë në relacion me tregun e mirëfilltë.
Ndikim të posaçëm në krijimin e problemeve që ndërlidhen me automjete i ka krijuar mungesa e legjislacionit të mirëfilltë për këtë sektor gjegjësisht për automjetet.
Automjetet dhe statistikat zyrtare në Kosovë
Për ta ilustruar edhe më në detaje problemin do të shërbehemi edhe me disa fakte dhe statistika të këtij sektori. Të dhënat statistikore zyrtare për automjetet për vitin 2018, flasin se aktualisht në Kosovë kemi një numër të madh të automjeteve me një moshë jashtëzakonisht të lartë të tyre, me një shkallë të lartë të amortizimit dhe me një shkallë të lartë të ndotjes.
Në Kosovë në vitin 2018 janë të regjistruara rreth 347229 automjete. Nga ky numër 70957 automjete janë të prodhuara para vitit 1994, përkatësisht 20.43 % nga numri i përgjithshëm i tyre dhe që kanë moshë më të vjetër se 24 vjet nga totali i regjistrimit në vitin 2018, ndërsa 131185 automjete janë më të vjetra se 18 vite, apo 37.78% nga totali i regjistrimit të vitit 2018. 308940 automjete janë më të vjetra se 10 vite, apo 88.97% nga totali i përgjithshëm i regjistrimit në vitin 2018. Kilometrat mesatare të kaluara brenda vitit 2018 janë 21277 km për secilin automjet. Nisur nga numri i përgjithshëm i aksidenteve të vitit 2018, pas çdo 468244 km të kaluara të të gjitha automjeteve ka ndodhur një aksident apo çdo i 22-ti automjet ka qenë i përfshirë në një aksident trafiku.
Automjetet dhe emetimet e gazrave.
Nga numri i gjithmbarshëm i automjeteve të regjistruara, 69376 automjete përdorin benzinën si lëndë djegëse, 275192 automjete përdorin naftën si lëndë djegëse ndërsa 2661 automjete përdorin gazin e lëngshëm si lëndë djegëse. Analizuar nga aspekti mjedisor dhe duke marr për bazë numrin e automjeteve sipas euro-standardeve kemi një numër prej 60432 automjete të regjistruara në vitin 2018 që janë të prodhuara para formimit të këtij standardi. • 18378 automjete janë sipas euro standard 1, (CO =2.72 g/km – benzin dhe dizel); • 50272 automjete janë sipas euro standard 2, (CO = 2.2 g/km – benzin dhe CO = 1 g/km- dizel); • 109920 automjete sipas euro standard 3, (CO = 2.3 g/km – benzin dhe CO = 0.66 g/km- dizel); • 69706 automjete janë sipas euro standard 4, (CO = 1 g/km – benzin dhe CO = 0.5 g/km- dizel); • 28279 automjete sipas euro standard 5 (CO = 1 g/km – benzin dhe CO = 0.5 g/km- dizel) dhe • 10242 automjete sipas euro standard 6 (CO = 1 g/km – benzin dhe CO = 0.5 g/km- dizel).
Mbështetur në këta parametra në Kosovë vetëm gjatë vitit 2018 nga automjetet janë liruar rreth 7435 t CO (monoksid të karbonit). Kjo shifër llogaritet vetëm për automjetet që janë brenda euro-standardeve të lartshënuara. Shkalla e ndotjes me CO nga automjetet është shumë më e madhe nëse llogaritet edhe lirimi i CO nga 60432 automjete që janë jashtë euro-standardit. Duke llogaritur shkallën e lirimit të CO për këto automjete është mesatarisht me kriteret e euro-standard 1 atëherë kemi një emetim rreth 3497 t CO. Në total brenda vitit 2018 vetëm nga automjetet janë liruar rreth 10932 t CO. Shkalla e ndotjes nga automjetet është ende më e lartë nëse kalkulohen edhe parametrat tjerë NOx, SOx, PM etj.
Sipas të dhënave nga inventari nacional i gazrave serrë, transporti rrugore kontribuon me 12% në totali i emisioneve që vijnë nga sektori i energjisë dhe është sektori i dytë në vend pas industrisë energjetike që emeton 75% të emisioneve.
Masat që duhet të ndërmerren për reduktimin e ndotjes nga automjetet
Për të zvogëluar shkallën e ndotjes mjedisore përkatësisht ndotjen e ajrit nga automjetet duhet të ndërmerren disa hapa konkret institucional.
Përmirësimi i shpejtë i legjislacionit të tërësishëm për automjetet, që do ti paraprinte një debat dhe analize shkencore, ekonomike, mjedisore me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve dhe palëve të interesit. Në kuadër të këtij debati dhe hulumtimi në mënyrë argumentuese do të paraqiteshin sugjerimet dhe vërejtjet lidhur me temat sikurse janë: rregullimi i tregut të automjeteve, mënyra e menaxhimit, mirëmbajtjes, kontrollit dhe gjendjes teknike të automjeteve, definimi i qartë i institucioneve dhe i përgjegjësve për tërë sektorin e automjeteve, krijimi i politikave ekonomike, me karakter mjedisor dhe favorizimi i importit të automjeteve hibride si dhe krijimi i politikave që subvencionojnë largimin e automjeteve që janë jashtë euro-standardeve.
Përmirësimi i infrastrukturës dhe krijimi i mundësive që në qytetet e mëdha të përdoren sa më pak vetura si mjete transportuese brenda qyteteve. Kjo do te duhej të shoqërohej edhe rishikimin e politikave të transportit publik dhe harmonizimi i tyre me kriteret mjedisore dhe përmirësimi i legjislacionit mbi kontrollin e cilësisë së lëndëve djegëse.
Në mënyrë të veçante është e domosdoshme zbatimi i parimeve të euro-standardeve në procesin e kontrollit teknik të automjeteve dhe largimi nga qarkullimi i veturave që nuk i plotësojnë këto standarde.
(Autorët janë mësimdhënës të Universitetit të Prishtinës – Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike – Departamenti i Komunikacionit)
Top Channel