Në rrethrrotullimin e Kolonjës, në rrugën Lushnjë-Fier, tre ditë më parë i ndëpreu jetën dy të rinjve, Jorgest dhe Alteo Shabani, ndërsa la të plagosur Alban Doksanin 16 vjeç. Ky ishte një ndër disa aksidentet me vdekje që kanë ndodhur në këtë rrethrrotullim, duke u kthyer kështu në një njollë të zezë në rrjetin e rrugëve të vendit.

Rruga Lushnje Fier, u inagurua në prill të vitit 2009, nga qeveria Berisha. Devijimi i kësaj rruge, nëpërmjet këtij rrethrrotullimi u bë për të favorizuar një biznes, pikërisht lokalin që po shihni në pamje, i cili prej disa vitesh nuk është më funksional.

“Devijimi i asaj rrugë është bërë për shkak të atij lokalit që ndodhet aty. Devijimi për mua është një gabim i projektuesit apo ndërtuesit. Ajo mund të ishte zgjidhur më një korsi ngadalësimi për të hyrë në Kolonjë dhe një korsi shpejtimi për qytetarët e Kolonjës për të hyrë në qarkullim dhe nuk ishte nevoja të kishim kaq aksidente”, u shpreh Sulçe.

Akutalisht kjo është pamja satelitore e ndërprerjes së kësaj rrugë nëpërmjet rrethrrotullimi të Kolonjës. E gjithë kjo situatë, ashtu siç e shpjegon dhe eksperti, idealisht mund të ishte zgjidhur nëse do të aplikohej një projekt i tillë.

“Në këtë mënyrë nuk do të pengohej edhe lëvizja e mjeteve që lëvizin aty, por do të rritej shpejtësia e qarkullimit, pikërisht për t’i shërbyer qëllimit që është ndërtuar kjo rrugë, për t’i shërbyer bregdetit”, u shpreh Sulçe.

Ashtu siç mund të shihet edhe nga pamjet, bordurat pranë këtij rrethrrotullimi janë të dëmtuara për shkak të aksidenteve që kanë ndodhur.

Andi Bora

Top Channel