Britania e Madhe tashmë është nisur drejt zgjedhjeve të reja, më 12 dhjetor, dhe motorët janë ndezur. Kryeministri Boris Johnson tha se është gati të luftojë “ashpër” për zgjedhjet dhe me të njëjtat tone është shprehur edhe udhëheqësi i opozitës, Jeremy Corbin.

Më 29 tetor parlamenti britanik miratoi legjislacionin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, si një përpjekje për të zgjidhur bllokimin politik për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Johnson shpreson se partia e tij konservatore do të marrë vota të mjaftueshme në zgjedhje, për të kaluar planin e tij të Brexitit në parlament. Laburistët në opozitë, që kanë shprehur mendime të përziera për Brexitin, si dhe kanë kërkuar një referendum të ri për këtë çështje, dhe Liberal-Demokratët, të cilët kanë kundërshtuar me ngulm Brexitin, do të përpiqen të fitojnë një mbështetje në zgjedhje.

Votimi për zgjedhje të parakohshme erdhi një ditë pasi BE-ja ra dakord të shtyjë Brexitin deri më 31 janar të vitit të ardhshëm. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se 27 vendet anëtare të BE-së ranë dakord të pranojnë “kërkesën për një zgjatje Brexit deri më 31 janar 2020.” Por, Britania e Madhe mund të largohet nga blloku para 31 janarit nëse marrëveshja e tërheqjes ratifikohet nga të dy palët.

Top Channel