Pas divorcit, me vendim gjykatë të formës së prerë, u vendos që djali 11 vjeç do të qëndronte me babain dhe vajza 7 vjeçe me mamanë. Pas një viti, nëna ende nuk e ka marrë dot vajzën nga babai, madje as nuk i ka takuar dot fëmijët, pasi babai ja mohon këtë të drejtë. Për t’i marrë edhe vajzën ai përdori dhunën, por prokuroria pas denoncimit të nënës ende nuk ka nisur hetimin, pasi ka shumë çështje në shqyrtim. Kjo ka bërë që nëna të sorollatet nga njëra zyrë e shtetit në tjetrën pa marrë asnjë rrugë zgjidhje.

Nëna  e fëmijëve tregon për Fiks Fare  që ka bërë disa ankesa në polici, prokurori, përmbarim por asnjë nuk po bën të mundur zbatimin e vendimit të gjykatës i cili është i formës së prerë. “Unë dua të zbatohet ligji, nuk kërkoj ta shkelë njeri atë. Babai i flet keq fëmijëve për mua dhe thotë që nuk  duan të më takojnë. Por sa herë që flas me ta apo shkoj tek shkolla ata më takojnë me mall.” Sipas nënës, përmbaruesi që e ka patur çështjen nuk e ka bërë punën që i takon. Babait i janë vendosur disa herë gjoba por nuk i ka paguar ndonjëherë.Në njërin prej takimeve babai e ka marrë vajzën me dhunë në sy të psikologes dhe përmbaruesit edhe pse ajo kishte shumë dëshirë të shkontë me nënën. E gjendur para kësaj situate nëna vendosi të ankohej në Fiks Fare për të kërkuar drejtësi dhe zgjidhjen e këtij problemi.

Oficeri i policisë dhe sekretarja e prokurorisë “Do të sorrollatin, prokurorët vendosin mosfillim për këto çështje”

Gjatë trajtimit të kësaj çështje nga  Fiks Fare, nëna u paraqit në policinë e Tepelenës aty ku kish bërë edhe denoncimin për marrjen me dhunë të vajzës nga babai. Oficeri i policisë gjyqësore i thotë se pasi pritën 5 ditë që babai ta kthente vet fëmijën e dërguan çështjen për hetim në prokurorinë e Gjirokastrës. Oficeri i policisë gjyqësore  por edhe sekretarja e prokurorisë së Gjirokastërs, i thonë që zakonisht këto çështje pushohen nga prokuroret, nuk hetohen. Vetëm në rastet kur fëmijën e dërgojnë  jashtë shtetit, ata hetojnë tamam këto çështje.

Prokurori -“Mos u bëj merak se babai e ka, njësoj jeni të dy. Kam shumë dosje, kur t’i vijë radha do merrem me dosjen tënde”

Pasi takon sekretaren, nëna pritet edhe  nga prokurori, i cili,  pa nisur  akoma hetimin e çështjes i thotë “Mos u bëj merak se babai e ka, njësoj jeni të dy. Kam shumë dosje, kur t’i vijë radha do merrem me dosjen tënde” . Duke e nxjerrë nënën pa asnjë shpresë nga zyra.

Përmbaruesi – “Nuk prek unë fëmijë me dorë. Babait i kam vendosur gjoba po s’kam çfarë t’i marr se nuk ka.

Gjithashtu ajo u drejtua edhe pranë zyrës së Përmbarimit Fier, ku me ndihmën e kameras së Fiksit arriti të vërtetonte mënyrën se si e trajtonin në këtë zyrë. Përmbaruesi që kishte patur çështjen  i bërtet  në zyrë i revoltuar kur nëna i kërkon llogari për zbatimin e vendimit të gjykatës “Nuk prek unë fëmijë me dorë. Babait i kam vendosur gjoba po s’kam çfarë t’i marr se nuk ka. Nëse do sqarime të mëtejshme fol me shefin dhe jo me mua.”

Kryetari i zyrës së përmbarimit, i thotë nënës se ata e kanë ndjekur në rregull procedurën. Ajo vetë e ka tërhequr dosjen. Nëse do, mund të bëj një kërkesë dhe ta rivendosi dosjen për ekzekutim. Ai gjithashtu i thotë që në takime vajza nuk ka pranuar vet të shkoj me nënën. Ndërkohë që në një nga takimet, në bazë të proceverbalit, vajza në prani të psikologes kishte pranuar të takonte nënën, por është marrë me dhunë nga babai në sy të nënës, psikologes dhe përmbaruesit.

Djali 11 vjeç – “Babi dhe njerka na bërtasin”

Pasi ish sorrollatur nga të gjitha insitucionet  ku kishte trokitur, nëna i drejtohet shkollës ku vijojnë mësimin fëmijët e saj. Në oborrin e shkollës, nëna takon djalin e saj i cili sapo e sheh e përqafon dhe e puth i përmalluar. Pasi çmallen djali i tregon nënës se motra është e sëmurë me kollë ndaj nuk ka ardhur në shkollë. Gjithashtu ai nis t’i tregojë për marrëdhëniet e tij me të atin dhe njerkën. Sipas tij zihen shpesh dhe ata që e mbrojnë janë xhaxhai, nëna dhe gjyshi. Madje ata shpesh i thonë djalit që është më mire për të nëse rri me të ëmën. Sipas tij njerka i bërtet shumë motrës, por i lutet të ëmës të mos i tregojë njeriu, pasi ka frikë për çfarë mund të ndodh  më pas.

Drejtori i shkollës, pasi vihet në dijeni për rastin dhe vendimin e gjykatës i kërkon nënës që të vij me vendimin, përmbaruesit dhe fletën e pranimit të shkollës. Nëse vajza do të jetë dakord ai është i gatshëm ta lejojë atë të shkoj me nënën siç e kërkon edhe vendimi i gjykatës.

Top Channel