Donald Trump dhe zonja e parë, Melania, festuan Hallouinin e tyre të tretë në Shtëpinë e Bardhë, duke u dhënë ëmbëlsira fëmijëve në kostume, të mbledhur në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë.

Kryesisht ishin fëmijë të familjeve ushtarake por edhe nxënës të shkollave fillore, që kërkonin ëmbëlsirë apo rreng.

Pavarësisht telasheve me të cilat përballet, Trump u duk se e kish përqafuar shpirtin e festës, jepte karamele pa pushim dhe pozonte për foto me fëmijët dhe e bëri këtë për rreth 40 minuta.

Shtëpia e Bardhë ishte dekoruar si më së miri për festën me dhjetëra kunguj të vendosur nëpër shkallë dhe me shumë elementë të tjerë, të frikshëm dhe jo, që shiheshin ngado.

Gjithçka shoqëruar nga banda e forcave ajrore amerikane, që repertorin e kishte të zgjedhur. Pjesët e luajtuara ishin nga filma si Ghostbusters, Harry Potter etj. Ndërsa kënga që shoqëroi Trump dhe Melanian, ishte ajo e Familjes Addams.

Ardita Becolli

Top Channel