Kongresi botëror i hebrenjëve, çmim për kancelaren Merkel

28/10/2019 17:36

Kongresi Botëror i Hebrenjve nderon me Çmimin Theodor-Herzl personalitetet që angazhohen për idealin e një bote më të sigurt e tolerante për popullin hebre. Merkel e merr me të drejtë këtë çmim, mendon Michel Friedman.

Në shikim të parë duket paradoksale: Pas sulmit në sinagogën e qytetit Halle, pas shumë sulmeve shpirtërore por edhe sulmeve fizike ndaj simboleve hebreje, kancelarja gjermane Angela Merkel nderohet me Çmimin World Jewish Congress. Po, është e vërtetë që jeta në Gjermani nuk ka qenë kurrë më parë për popullin hebre, pas vitit 1945, kaq e tendosur, kaq seriozisht e rrezikuar si sot. Kjo gjendje është pasojë e një realiteti unik në historinë e pasluftës në Gjermani: Një parti politike e urrejtjes është partia më e madhe opozitare në Bundestag, e zgjedhur nga miliona njerëz, të cilët e kanë ditur se çfarë po bëjnë, kur e kanë votuar Alternativën për Gjermani (AfD) në Bundestag dhe në parlamentet e landeve.

Fakt është që shefi i AfD Alexander Gauland flet lidhur me Hitlerin dhe Rajhun e Tretë, lidhur me Holocaustin, si një “glasë” të historisë. Fakt është që retorika antisemitiste dhe raciste e kësaj partie paraqet më shumë se vetëm një vatër shpirtërore për nxitjen e urrejtjes ndaj hebrenjve, që e dëshmojnë të gjitha studimet shkencore dhe se është rritur niveli i gatishmërisë për dhunë ndaj tyre. Por të gjitha këto nuk e ndryshojnë faktin se shumica e madhe në këtë vend akoma e mbron demokracinë, lirinë, të drejtat e njeriut dhe vlerat njerëzore.

Përderisa një minoritet në rritje është i mendimit, se mund të preken vlerat e njeriut – pikërisht njerëzve hebre – shumica po dërgon sinjale të tjerë. Fakti që këto po mbeten të heshtura dhe në pjesë të madhe pa efekt, nuk ka të bëjë vetëm me atë që shumica e kundërshtarëve të këtyre forcave antidemokratike nuk po vepron me vendosmëri. Njëkohësisht duhet kritikuar qartë: Një pjesë e policisë, prokurorive dhe organeve të drejtësisë nuk e kanë analizuar sa duhet rrezikun nga ekstremizmi i djathtë dhe nuk kanë vepruar. Por edhe në skenën politike është menduar pjesërisht se problemi i ekstremizmit të djathtë, urrejtjes ndaj hebrenjve dhe terrorizmit të djathtë në dekadat e fundit është shoqëruar me fjalët: “Nuk mund të ndodhë ajo që nuk guxon të ndodhë”, në vend se të veprohet me një ofensivë të qartë dhe të eliminohen problemi i përgjithshëm shoqëror, që nuk ka të bëjë vetëm me një minoritet, në këtë rast me popullin hebre. Megjithatë Angela Merkel nderohet me këtë çmim me të drejtë. Ajo personalisht por edhe në funksionin që ushtron, ka treguar gjithmonë fytyrën e saj shumë qartë. Por edhe ajo duhet të përballet me pyetjen: Pse në një periudhë prej më shumë se dhjetë vitesh sa është kancelare e Gjermanisë, nuk është bërë më shumë, pse nuk kanë vepruar më shumë institucionet e shtetit. Angela Merkel është angazhuar gjithmonë kundër forcave të djathta radikale dhe ndryshimeve të këtilla në shoqëri.

Ajo ka qenë një shembull i pozicionimit të drejtë kundër urrejtjes ndaj hebrenjve. Ka bërë të qartë se antisemitizmi dhe sulmet ndaj hebrenjve paraqesin sulme edhe ndaj demokracisë. Antisemitizmi nuk është ndonjë zbulim gjerman. Por Aushvitci po! Megjithatë ky çmim nuk do të thotë vetëm mirënjohje por edhe përgjegjësi për të ardhmen. Një të ardhme, në të cilën prapë ka më shumë respekt dhe vlera njerëzore, në vend të urrejtjes dhe përkufizimeve. DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA