“Rama po bën shkatërrimin e vet politik dhe Shqipëria do vejë keq e më keq”, ky ishte paralajmërimi i nën kryetarit të LSI, Petrit Vasili sot në Top Talk.

Vasili akuzoi Kryeministrin Rama se nuk ka qëllim të bëjë një reformë reale: “Çështja qëndron në atë që quhet reflektim i përgjegjshëm. Kanë ndodhur disa gjëra të rënda, negociatat nuk u hapën. Tani në këtë sfond ky thotë që do e miratoj reformën vetë me partinë time, ndërkohë shumë qartë i thonë, reforma duhet të jetë gjithë përfshirëse dhe jo vetëm duhet të shkruhet, por edhe të zbatohet.”

Ndër të tjera Vasili paralajmëroi se vendi po shkon në një përplasje të fortë sociale: “A është i përgjegjshëm Rama se para vendit po krijohet një tension i jashtëzakonshëm shoqëror dhe Shqipëria po dërrmohet? Tashmë çështja e Ramës është ballë për ballë edhe me shqiptarët, jo vetëm me opozitën, ne kemi për detyrë të vëmë në lëvizje këtë protestë të madhe popullore sepse mekanizmat institucional kushtetues janë dhunuar.

Tani çfarë do ndodhë? Shqipëria do vejë keq e më keq, dhe tensioni dhe reagimi shoqëror do jetë shumë i egër. Kjo do jetë në dëm të vendit. Ne po bëjmë të pamundurën për të dhënë të gjitha opsionet për të dalë pa dëme të mëdha politiko-shoqërore. Ekonomia po rrënohet për shkak të krizës së rëndë politike, gjë që nuk e them unë, por është në përkufizimet e Bundestagut gjerman. Ne po bëjmë një detyrë shumë të rëndësishme që të kanalizojmë zgjidhjen e krizës për të evituar përplasjen shumë të fortë politiko sociale. Në rast se nuk do ndodhi kjo përplasje do jetë e pa evitueshme. përplasja do jetë shumë e fortë në rast se nuk do ketë reflektim.”

Sipas Vasilit Rama po bën shkatërrimin e vet politik dhe “po shkatërron interesat e Shqipërisë në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe çdo shqiptar sot është më keq, më i varfër dhe më i izoluar”.

Top Channel