Ish udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla është thirrur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Posaçme në Hagë për t’u paraqitur, por pa u bë e qartë se në çfarë cilësie është thirrur atje. Lajmi u bë i ditur nga avokati i tij, Besnik Berisha.
Zoti Syla, ish deputet i Parlamentit të Kosovës dhe zyrtar i lartë i Partisë Demokratike, është një nga zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tani janë paraqitur më shumë se 50 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara do të veprojë në Hagë, me ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Hetimet sikurse edhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./VOA
Top Channel