“S’do bëjnë më tendera siç kanë bërë”/ Taksat për kullat në qytete, Rama: Të ardhurat do shkojnë te Fondi i Strehimit, Enti i Banesave do kthehet në kompani publike

10/09/2026 14:22

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin e ri për strehimin, duke njoftuar ndryshime në mënyrën e trajtimit të banesave sociale dhe grupeve në nevojë.

Rama u shpreh se me anë të taksës 3% të vendosura për oligarkët që ndërtojnë kullat në qytetet, të ardhurat do të shkojnë te Fondi Kombëtar i Strehimit, një ndihmë për ata që nuk mund të blejnë dot një pallat apo banesë.

Rama:

Vijmë tek politika e tretë, e cila është politika e banesave të përballueshme. E gjithë bota ka hyrë në një epokë të re zhvillimi. Certifikatën na e dhanë flamingot, jemi në kohën e paradoksit të suksesit. Zhvillohemi, por nuk përballohet dot nevoja për një çelës për të përfituar pavarësinë nga vjehrra. Ne jemi i vetmi vend në Europë që akoma sot nuk e kemi komponentin e ndërtimit nga bashkitë apo nga shteti, për strehimin social dhe të përballueshëm me mundësi për të krijuar fitim duke shitur një pjesë të asaj që ndërton që të vazhdojë ndërtimin.

Taksë për çdo ndërtim, sepse njerëzit duhet ta kuptojnë, kjo qeveri u ka vënë atyre që quhen kot më kot oligarkë, oligarkë nuk ka por ka të pasur, i kemi vënë taksën më të lartë ndërtimi që ka rajoni. Kur njerëzit shikojnë një kullë duhet të kuptojnë që qeveria ka futur taksa që nuk i paguan asnjë ndërtues në rajon, pjesë e taksave është 3% e të ardhurave nga shitjet e një pallati, shkojnë në fondin e strehimit për ata që nuk blejnë dot në atë pallat. A kemi ne luksin që 3% të jetë një shumë e akumuluar që rri kot. Çfarë është bërë me 3%, ku janë pallatet e ndërtuara, apartamentet e këtyre kategorive? Janë aty, por nuk janë të përdorura, ky është paradoksi i parë dhe njerëzit me të drejtë thonë ku jemi ne në këtë zhvillim, u ngrit kulla e bukur, po ku jemi ne.

Ne kemi menduar ku do jenë ata, është koha ta marri në dorë qeveria këtë gjë. Paradoksi tjetër, Himara është bashkia e dytë më e pasur e Shqipërisë në aspektin e të ardhurave nga taksat, ne mbledhim taksa, ato që i takojnë qeverisë, nuk kanë paguar më parë as të kushedi se satën pjesë të saj që paguajnë sot njerëzit që fitojnë më shumë. Himara i mbledh taksat, por nuk ka nevojë për strehim, nuk ka njerëz të pastrehë atje. Paratë e 3% janë atje, por nuk bën sens, Himara ka nevojë për të tjera gjëra. Kështu që 3% do të jetë pjesë e fondit kombëtar të strehimit.

Fondi do t’i mbledhë të gjitha dhe bashkitë, sipas kontributit, do të bashkëpunojnë me Fondin, Enti i Banesave, i cili do të kthehet në një kompani publike, jo vetëm do të porosisë, nuk do të bëjë tendera siç ka bërë deri më sot, por partneritete. Do të ndërtojë, do të nxjerrë fitim për shtetin dhe do të riinvestojë.

Top Channel