“Nuk ka humbës dhe fitues, jemi të gjithë humbës”. Rudina Hajdari, kryetare e Grupit Parlamentar Demokrat, e vendos përgjegjësinë për dështimin në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian jo vetem te Qeveria, por edhe te opozita jashtëparlamentare.

“Ishte një nga betejat më të rëndësishme ku ne duhet të ishim angazhuar për të bindur vendet skeptike. Nëse do të kishim një luftë më të madhe ndaj krimit të organizuar dhe korrupsioni”, u shpreh Hajdari në emisionin “Top Talk” në Top Channel.

Gjithsesi, Hajdari kërkoi publikisht që Gent Cakaj, ministër i Jashtëm në detyrë, të dorëhiqet nga detyra, por edhe kryeministri Edi Rama ta mendojë një vendim të tillë.

“I kam dëgjuar këtë lajme dhe ky lloj reagimi është me përgjegjësi të madhe morale dhe institucionale. Kjo tregon qartë se kryeministri Zaev e ka marrë shumë seriozisht pozicionin e tij dhe besoj se ai do ta japi dorëheqjen. Kjo sjellje i jep atij shumë kredibilitet si person, i cili e ka dashur shumë hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE dhe është përpjekur në të gjiha mënyrat.

Mendoj se një hap përpara për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të ishte ndihmesë për stabilitetin në rajon dhe për t’i dhënë një sinjal pozitiv dy shteteve për të ecur përpara.

Arsyeja përse Rama nuk jep dorëheqjen sot është sepse nuk ka një alternativë të qartë. Shqipëria është në udhëkryq. Kemi një kryeministër shumë të papërgjegjshëm që të gjitha fajet ia hedh Evropës për situatën ku ndodhet Shqipëria sot. Kemi një opozitë që është jashtë Parlamentit që është tepër e papërgjegjshme. Pra kemi humbur 1 vit kohë për të punuar dhe për bindur vendet skeptike për të qenë sa më konkret se çfarë kemi arritur ne. Po të ishte miratuat sot Reforma Zgjedhore, ne do të ishim në një situatë ndryshe.

Minimumi që duhet bërë është se dikush duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të japë dorëheqjen. Kryeministri duhet të shoh nëse mund të japë dorëheqjen, por minimumi ministri i Jashtëm duhet të japë dorëheqjen përpara këtij realiteti. Ne akoma nuk i kemi bërë hapat e duhur për të qenë gati. Ka njerëz plot që mund ta bëjnë këtë detyrë. Duhet të tregojmë edhe në mënyrë simbolike se jemi të gatshëm për të dhënë dorëheqjen edhe kur nuk arrijmë një objektiv”, u shpreh Hajdari në Top Talk.

Top Channel