Në një kohë që pret mandatin për të marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti po tregohet i kujdesshëm me deklarata dhe sidomos kur bëhet fjalë për Qeverinë e Shqipërisë.

Në intervistën për “Zërin e Amerikës”, Kurti është pyetur edhe për marrëveshjen e nënshkruar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut për të ashtuquajturin “Shengen ballkanik”. Lideri i Vetëvendosjes nuk mbajti një qëndrim konkret mbi këtë projekt, ku Kosova mungoi, por kërkoi që Tirana zyrtare ta shoh Serbinë ashtu siç e sheh shteti i tij.

“Në njëfarë mënyre të tria këto vende tashmë e kanë lirinë e lëvizjes e kanë liberalizimin e vizave, këtu çështja është që Kosova ta fitojë këtë gjë. Unë jam i bindur që për liberalizimin e vizave të Kosovës thelbësore është Prokuroria Speciale, pra liberalizimin e vizave nuk do ta sjellë qeveria e re por aktiviteti i ri i Prokurorisë Speciale atëherë kur ajo do të jetë e çliruar prej ekzekutivit. Unë synoj që të takohem me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe të shohim më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë, por mendoj që në të gjitha këto iniciativa është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë gjithnjë e pranishme, e përfaqësuar, të marrë pjesë, sepse Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare”, është shprehur Kurti.

Top Channel