Rrëfeu para FBI-së se është vrasësi serial me më shumë viktima në historinë e SHBA-ve

09/10/2019 17:31

Një 79-vjeçar amerikan, Samuel Little, rrëfeu përpara FBI-së se kishte vrarë 93 gra gjatë jetës së tij.

FBI-ja nuk e mori seriozisht në fillim, kur u rrëfye në dhjetor të vitit 2018. Por tani ai vizatoi me detaje fytyrat e të gjitha viktimave dhe FBI vërtetoi shumicën prej tyre.

Hetuesit u çuditën se si Little ishte në fakt person me kujtesë fotografike dhe artist vizatimi. Ai i mbante mend me detaje viktimat dhe ua vizatoi fytyrat me imtësi, deri te ngjyra e të kuqit të buzëve dhe te modeli i flokëve.

FBI arriti të identifikojë 50 prej viktimave ndërsa për të tjerat i kërkon ndihmë publikut.

Little tha se arsyeja për të cilën i vriste ishte sepse eksitohej kur ato ndiheshin të pashpresa përpara tij.

Vrasjet kanë nisur që në vitet 1970 dhe kanë vazhduar deri në vitin 2005.

Në vitin 2012 ai u arrestua pasi rrëfeu për tre vrasje. Hetuesit dyshonin se ishte autori i vrasjeve të tjera gjithashtu, por ai nuk bashkëpunonte. Tani që i është përkeqësuar shëndeti dhe i ka ikur mosha, vendosi të rrëfejë për të gjitha vrasjet.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA