Trupat turke nisën ofensivën në veri të Sirisë, pak pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën trupat e tyre prej andej.

Lajmin e njoftoi vetë presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan. Turqia kërkon të krijojë, siç thotë, një “zonë të sigurt të pastruar” nga paraushtarakët kurdë, të cilët ishin aleatët kryesore të Shteteve të Bashkuara në mposhtjen e grupit të dhunshëm xhihadist, Shteti Islamik në Siri.

Deklaratën e tij për largimin e trupave amerikane, një lëvizje kjo që u pa praktikisht si “thikë pas shpine” për kurdët, Trump e shoqëroi me paralajmërimet se do të godiste fort ekonominë turke, nëse Ankaraja e “kapërcen kufirin” me kurdët.

Por lëvizja e fundit e Turqisë tregon se ky kërcënim ka pasur shumë pak efekt. Veprimi i Trumpit u dënua deri edhe nga aleatë republikanë të presidentit të SHBA-së. Turqia i konsideron terroristë milicët kurdë, të cilët janë shumicë mes Forcave Demokratike Siriane (SDF).

SHBA ka rreth 1.000 trupa në të gjithë Sirinë, por vetëm dy duzina prej tyre ishin tërhequr nga zona kufitare, sipas një zyrtari të lartë të departamentit të shtetit. Kurdët ndërkohë i janë lutur komunitetit ndërkombëtar që t`ju vijë në ndihmë.

Top Channel