Kushedi ç’do të kishte thënë Marilyn Monroe, e cila këndonte dikur se “diamantet janë miqtë më të mirë të një vajze”, nëse do të kishte parë me sytë e saj diamantin e parë “Matrioshka” në botë.

Guri i çmuar e ka marrë emrin nga kukullat e famshme  që mbajnë brenda vetes kukulla të tjera më të vogla. Ky është ekzemplari i parë i një diamanti që ka brenda vetes një të dytë. Ai u zbulua nga kompania ruse e minierave Alrosa, e cila kohët e fundit nxori në dritë dhe një diamant rozë 14.8 karat, me vlerë mbi 60 milionë dollarë.

Guri “dysh” peshon 0.62 karat (rreth 124 miligram) dhe u gjet në minierën Njurba në Republikën e Jacuzia-s. Brenda diamantit të jashtëm ka një zgavër të vogël, e cila përmban një diamant më të vogël, prej 0.02 karatësh (4 miligram), i cili lëviz lirshëm.

Sipas Oleg Kovalchuk, zëvendësdrejtor për risitë e Alrosa-s, nuk është gjetur asnjëherë më parë një gur i ngjashëm me këtë. Ai e quan një gjë vërtet të rrallë, sidomos për faktin që siç thotë, natyrës nuk i pëlqen boshllëku. Zakonisht, në raste kavitetesh, ajo përdor disa minerale për ta mbushur hapësirën, shprehet Kovalchuk. Ekspertët mendojnë se diamante “Matrioshka” mund të ketë lindur nga zhvillimi i mëvonshëm i gurit të dytë, që mbështolli të parin.

 

FOTO GALERI
1/3

Top Channel