Stresi e konsideroi arrestimin të sajuar, por ja pse në burg nuk kishte kaluar dhe aq keq…

02/10/2019 19:21

I ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, Stresi foli për tetë muajt që qëndroi në burg, pas arrestimit në tetor të vitit të kaluar.

Reperi mohoi që kishte pasur armë zjarri dhe kokainë gjatë momentit të arrestimit, duke e konsideruar të gjithën çka ndodhi një sajesë të madhe.

“Për mua ishte diçka e sajuar, siç e sajuan e ç’sajuan dhe dola”, tha qetësisht ai, duke u mbështetur në argumentin se mungesa e provave bëri që të dilte më herët seç ishte planifikuar.

Megjithatë, reperi u duk se nuk ishte mërzitur aspak gjatë qëndrimit në qeli, madje e kishte shfrytëzuar atë periudhë më së miri.

“Kam kaluar shumë mirë, nuk është se jam mërzitur. Për të vetmin person që mërzitesha, se e dija që mërzitej, ishte nëna. Por ia kalova mirë, pasi policia ishte shumë korrekte me ne dhe ne ishim shumë korrekt me ta.

Merreshim çdo ditë me aktivitet, playstation, futboll, palestër, ikte dita shpejt”, tregoi ai.

Top Channel