Kancelari më i ri i Austrisë, 33-vjeçari Sebastian Kurz duket se do të rimarrë frerët e ekzekutivit, pasi partia e tij konservatore fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare.

Rezultatet e para treguan se partia popullore austriake ka fituar rreth 37% të votave që do të thotë gati 5% më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Ish-partneri i vet i koalicionit, Partia e Lirisë nga ekstremi i djathtë nuk siguroi më shumë se 17,3%, një rënie e ndjeshme kjo nga zgjedhjet e kaluara.

Ishte pikërisht skandali i shkaktuar prej kësaj të fundit ai që solli rrëzimin e koalicionit të mëparshëm qeverisës. Gjithçka nisi në muajin maj, kur mediat publikuan një video të zëvendëskancelarit, Heinz-Christian Strache, asokohe udhëheqës i partisë së lirisë, FPÖ . Strache ishte regjistruar fshehurazi ndërsa i premtonte kontrata të majme qeveritare një gruaje që ishte hequr si mbesa e një oligarku rus, në këmbim të një mbulimi pozitiv mediatik për FPO-në.

Kurzi u distancua menjëherë prej tij, por skandali bëri që qeveria të rrëzohej në 18 maj, dhe një javë më vonë, parlamenti e detyroi dhe atë vetë të largohej me një mocion mosbesimi. Tani Kurzi rikthehet me votë popullore, por jo mjaftueshëm sa për të qeverisur i vetëm. Atij do t’i duhet sërish të shohë mundësitë për koalicione, e këtu më shumë gjasë do ta përjashtojnë që në fillim një aleancë me FPO-në. Mendohet se gjasat më të mëdha i ka një ujdi tre partiake me të gjelbrit dhe partinë liberale pro-biznesit, Neos sesa një koalicion i madh me socialdemokratët, që dolën në vend të dytë.

Top Channel