Agjencia e vlerësimit të riskut të kreditit “Moody’s” e ka vlerësuar si ngjarje negative falimentimin e kolosit britanik të turizmit Thomas Cook për bankat greke, qipriote dhe bullgare.

Specialistet e saj argumentojnë se ky zhvillim do të ketë si rezultat uljen e të ardhurave nga turizmi si dhe investimeve në të tre vendet dhe do të rëndojë imazhin e kredisë për bizneset që bashkëpunonin me këtë operator turistik.

Moody’s llogarit ekspozimin e bankave greke ndaj kompanive të akomodimit dhe hotelierisë në 10.8% si dhe raporton mundësinë e zhvendosjes së këtij problemi në sektorët që lidhen me turizmin, qe përbën motorin e ekonomisë për Greqinë.

Agjencia e vlerësimit thekson ne raportin e saj se Thomas Cook ka operuar me shume se 3 milion turistë ose rreth 9% të totalit të mbërritjeve ne dy vitet e fundit dhe ka pasur një prani potenciale në Kretë dhe Kos ku përkatësisht 70% dhe 25% te hoteleve, kishin një kontratë me operatorin britanik.

Thomas Cook kishte një rol kryesor në tregun e turizmit në Greqi dhe njoftimi i falimentimit të tij ishte një goditje e madhe për ekonominë vendase. Kompania kishte emrin e saj ne 48 hotele te vendit, ndërsa kater prej tyre ishin pronësi e saj.

Në periudhën e falimentimit, sipas Ministrisë së Turizmit, në Greqi ndodheshin përmes Thomas Cook mbi 50,000 turistë.

Vlerësimet e analisteve vendas bëjnë me dije se demi qe shkaktoi falimentimi i kompanisë turistike britanike ndaj hoteleve greke, dhomave me qira, kompanive te transporteve ajrore apo tokësore dhe restoranteve shkon ne mbi 200 mln euro.

Aleksandër Marku

  Falimenton kompania turistike, “Thomas Cook” le në tokë mijëra pasagjerë britanikë

Top Channel