Mure të plasaritura, çati e rrënuar dhe mobilje të shkatërruara nga tërmeti. Kjo është panorama në dy familjet e prekura nga lëkundjet sizmike në Vaqarr.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, vizituan të dyja familjet për t’i siguruar se shtëpitë e tyre do të rindërtohen brenda një kohe të shkurtër dhe Viti i Ri do t’i gjejë në banesat e reja.

“Rifati, punonjës i policisë për 30 vjet, ka 30 vite që i shërben Tiranës. Më në fund, ka një shans që Tirana t’i shërbejë Rifatit. Bashkë me ministren e Arsimit, Besën, deputeten, kryetarin e Këshillit, kryetarin e njësisë, jemi bërë të gjithë bashkë si një komunitet, edhe me komunitetin e biznesit, që kanë marrë përsipër të bëjnë shtëpinë e Rifatit, si një mënyrë për t’i thënë Rifatit: Të jemi shumë mirënjohës, që i ke shërbyer 30 vite qytetit si polic, më në fund na dha Zoti këtë mundësi, se çdo fatkeqësi është edhe mundësi për të shërbyer, që të të shërbejmë ty dhe të bëjmë diçka për të të kthyer mbrapsht gjithë punën e sakrificën që ke dhënë për qytetin tonë. Unë do vij bashkë me çunat për ta inspektuar, por Viti i Ri do na gjejë me një shtëpi të re”, tha Veliaj, ndërsa i uroi shërim të shpejtë kryefamiljarit, që sapo ka dalë nga spitali pas një aksidenti.

Kryebashkiaku siguroi se ashtu si shtëpia e Rifatit dhe e Edmondit në Vaqarr, brenda një kohe të shkurtër do të rindërtohen edhe banesat e tjera, që janë bërë të pabanueshme nga tërmeti.

“Unë besoj që në kohë rekord, edhe kolegët tanë do e ndjekin, që ne të bëjmë shtëpinë dhe Viti i Ri të na gjejë me një shtëpi të re, me një frymë të re, me një energji të re, sepse besoj se vetëm duke parë përpara dhe jo mbrapa, mund të shohim dritë”, u shpreh ai.

Top Channel