Biden i kërkon Trump të zbardhë bisedën me Zelenskin

21/09/2019 22:02

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, që të hetojë për Joe Biden, një nga rivalët kryesorë politikë të tij, në një telefonatë në korrik, sipas raporteve të Wall Street Journal dhe mediave të tjera amerikane.

Telefonata është zbardhur pas një rrjedhjeje informacioni të klasifikuar që ka ndezur një betejë politike mes demokratëve, të cilët paralajmërojnë për një kërcënim të ri kombëtar, dhe republikanëve, të cilët po e përdorin atë për të sulmuar Biden, që kryeson në garën demokrate për të sfiduar presidentin Trump në zgjedhjet presidenciale të 2020.

Vetë Biden, ka kërkuar që Trump të zbardhë bisedën me presidentin Volodimir Zelenski, ku, sipas mediave, ai i ka kërkuar homologut ukrainas hetimin e djalit të Biden, i cili ka një biznes në Ukrainë.

Biden tha se Trump duhet që të bëjë menjëherë publik transkriptin e bisedës dhe pastaj populli do ta gjykojë vetë rastin.

Dhoma e Përfaqësuesve është duke hetuar raportet e mediave ku thuhet se Trump ka kërcënuar administratën e Zelenskiyt gjatë një bisede telefonike për tërheqje të mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës nëse nuk hetohen Biden dhe djali i tij, Hunter Biden.

Demokratët deklaruan se nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të kishte keqpërdorim pushteti. Pas fillimit të hetimeve për telefonatën mes Trump dhe Zelenskiyt, Shtëpia e Bardhë njoftoi javën e kaluar se do të akordonte 250 milionë dollarë për ushtrinë e Ukrainës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA