Komisioni Europian ka përshkallëzuar përplasjen me Meta-n. Brukseli kërkon që kompania të ndryshojë disa nga funksionet kryesore të Facebook dhe Instagram, të cilat, sipas hetimit paraprak, krijojnë varësi te përdoruesit, veçanërisht te të miturit.
Komisioni Europian njoftoi se Meta shkel Aktin e Shërbimeve Dixhitale, duke e akuzuar se Facebook dhe Instagram janë projektuar me mekanizma që nxisin përdorimin e tepërt dhe krijojnë varësi te përdoruesit. Në fokus të hetimit janë funksione si lëvizja e pafund e përmbajtjes (infinite scroll), riprodhimi automatik i videove, njoftimet “push” dhe algoritmet e rekomandimit, të cilat i shtyjnë përdoruesit të qëndrojnë më gjatë në platformë dhe rrisin rrezikun e përdorimit kompulsiv, sidomos te fëmijët dhe adoleshentët.
Brukseli i ka kërkuar Meta-s të ndryshojë këto elemente të dizajnit, duke kufizuar ose hequr funksione si “infinite scroll” dhe “autoplay”, si edhe të vendosë mekanizma më efektivë për ndërprerjen e kohës së përdorimit. Sipas Komisionit, masat aktuale të Meta-s nuk janë të mjaftueshme për të reduktuar varësinë nga rrjetet sociale.
Meta ka kundërshtuar gjetjet paraprake, duke argumentuar se ka investuar në mjete për mbrojtjen e të rinjve, kontrollet prindërore dhe kufizimet e kohës së përdorimit. Kompania ka të drejtë të paraqesë mbrojtjen e saj.
Nëse shkeljet konfirmohen, Meta rrezikon një gjobë deri në 6% të të ardhurave globale vjetore, që mund të arrijë në mbi 12 miliardë dollarë.
Top Channel