Së fundmi është folur se Maqedonia e Veriut mund përparojë më shumë se Shqipëria në lidhje me hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian.

Kolegët e shërbimit në gjuhën shqipe në DW intervistuan zotin Günter Krichbaum parlamentarin kristiandemokrat gjerman pas takimit me ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut: Ai thotë se në tetor do kemi një vendim final. Ndërkohë që CDU dhe CSU po diskuton se cili është qëndrimi që do mbahet për Shqipërinë. Së fundmi janë rritur zërat për një PO me kushte për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Deutsche Welle: Zoti Krichbaum, si kaloi takimi me ministrin maqedonas Dimitrov?

Günther Krichbaum: Unë pata një takim shumë të mirë informues me Ministrin e Jashtëm, Dimitrov. Ne e njohim njëri tjetrin prej vitesh dhe kohët e fundit kemi qenë në kontakt më të ngushtë. Tani që shtrohet pyetja a do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore apo jo, kjo pyetje nuk mund të ndahet edhe nga pyetja si do të shkojë puna me Shqipërinë. Ajo që mund të them unë është se në parlamentin gjerman, Bundestag, mendimi për Maqedoninë Veriore është shumë i mirë, Maqedonia Veriore ka imazh pozitiv në Gjermani. Unë mund të flas vetëm për parlamentin gjerman, jo për parlamentet e tjera europiane, aq më pak për Bashkimin Europian, por unë jam i bindur se në muajin tetor Këshilli do të marrë një vendim pozitiv për Maqedoninë Veriore.

Deutsche Welle: Ju pra jeni i bindur se do të ndizet drita jeshile nga Bundestagu? Kur pritet të diskutohet për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, në fund të muajit shtator?

Günter Krichbaum: Unë mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia Veriore vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumë vjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet. Por nuk duhet harruar që vazhdojnë të ekzistojnë sfida të mëdha përpara, si për shembull reforma e sistemit të drejtësisë, ose që ekonomia duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë investimet direkte. Dhe shumë fusha të tjera duhen zhvilluar sipër shembull liria e shtypit dhe gazetaria. Të gjitha këto janë fusha që dihen, dhe ku priten përparime. Ne nuk po flasim për pranim në BE këtë vit, por po flasim për fillimin e bisedimeve të pranimit. Ky do të jetë një proces i gjatë, ku duhet patur shumë durim. Por rruga është e qartë, rrugë në drejtim të Bashkimit Europian. Dhe meqenëse pyetët për segmentin kohor, ne do të zhvillojmë në fund të shtatorit diskutimet në Komisionin e parlamentar të Bundestagut që merret me çështjet europiane, përkatësisht do të marrim vendimin në parlamentin gjerman dhe në muajin tetor do të merret vendimi përfundimtar.

Deutsche Welle: Sa realiste është që nëse në Shqipëri vazhdojnë problemet procesi të zhvillohet i ndarë për Shqipërinë dhe Maqedoninë?

Günther Krichbaum: Siç thashë në Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë,  dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “principle of oën merit”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë. Ky principle of oën merit, është një princip i BE dhe secili vend vlerësohet për sukseset e veta.

 

 

 

Top Channel