Alda Bardhyli

“Tani dua të dashuroj diçka të largët
Ndonjë burrë hyjnor
Që të jetë si një shpend me ëmbëlsi,
Që të ketë pasur gra pambarim
Të dijë vende të tjera, dhe fjala
Në buzët e tij lulëzoftë erëmirë:
Si një pyll i virgjër kur era fryn…
Dëshiroj ta dua tani. Mbrëmja është
E butë dhe e qetë si një myshk i dendur,
Më dridhet goja dhe dhëmbët mprehtë,
Po më prishen gërshetat pak nga pak.
Një zhurmë të mugët ndiej… Gjithë toka
Po këndon me ëmbëlsi… Ndërsa larg
Pyjet janë ngarkuar plot kurora
Vërshojnë përrenjtë, dalin nga shtrati
Rrjedhin ujërat e filtrohen në tokë
Ashtu si dhe sytë e mi në sytë
Që plot kënaqësi po ëndërroj…
Por
Ja dielli tek bie matanë maleve,
Zogjtë po mblidhen në folët e tyre,
Mbrëmja po vdes dhe ai është larg…
Larg si ky diell që po ikën e më braktis
Me duart të futura në gërsheta,
Me gojën e lagësht e që dridhet,
Me shpirtin e hollë, djegur nga shpresa
Për këtë dashuri të pambarimtë
Që më kthehet e bukur, plot ëmbëlsi…
(Përktheu Barjam Karapolli)

“Nëse je në dashuri lexo Alfonsina Stornin”. Për herë të parë emrin e Alfonsina Stornit do ta ndeshja në një bisedë për letërsinë latinoamerikane, ku historia e gruaje që kishte dominuar me vargjet e saj letërsinë e shekullit 19-tw, vinte përmes rrëfimeve të burrave, të cilët ajo i fitoi me vargje. Në një kohë kur shkrimi i poezisë ka shkuar drejt formave të reja, poetët por dhe kritika bashkëkohore gjithnjë e më tepër i kthehen kësaj poeteje, si një model ku poezia gjendet më së miri në shtratin e saj të shtruar me ndjeshmërinë. Më pas, njohja me librat e saj, që vazhdojnë të botohen kudo në botë, mbajnë brenda rrëfime që do ti kesh gjithnjë me vete. Sepse poezia ka aftësinë të të ndihmojë, do të shprehej shkrimtarja Gabriela Misteral një nga njohëset më të mira të letërsisë së Storn.

“Lajmëtare të ëmbla të trishtimit janë…
janë zogëza të zeza, të zeza si nata.
Oh, të zeza, si vetë dhimbja!
Të ëmblat dallëndyshe që në dimër ikin
që braktisin folenë, duke e lënë vetëm…

Vargjet e mësipërme janë marrë nga poezia “Dallëndyshet”,shqipëruar nga Bajram Karapolli, I cili ka një kontribut në njohjen e letërsisë latino-amerikane në gjuhën shqipe. E përkthimet e Stornit të rrëmbejnë ashtu si vargjet e saj, që duket sikur reflektojnë botën e një gruaje të shekullit që po jetojmë.
Me flokët e verdha të prera shkurt, e rruazat e bardha në qafën e hollë, e në portretin ku shpesh bie një hije trishtimi, Alfonsina Storni, duket sikur zbret nga vitet 1900-të ku ishte dhe koha e artë e karrierës së saj, duke na folur përmes vargjeve që shkroi. Poezitë e saj kanë aftësinë të futen në lëkurën tënde, e të të përshkojnë gjatë me ndjesinë, që dinë ta veshin vetëm vargjet e mira. Ajo bëhet historia, rruga e liria jote. Por Storn nuk të përfshin vetëm me vargjet që shkroi, por dhe me jetën që ashtu si të gjitha jetët e poetëve që shkëlqyen në shekullin që shkoi, nuk ishte më shumë se 50 vjet. Jeta e saj ishte si poezitë që shkroi, përshkruar nga trazime e ndarje të mëdha, por dhe angazhime që do ta veçonin herët emrin e saj bri autorëve të tjerë argjentinas. Ajo jetoi në vitet 1892 – 1938 dhe ishte një nga shkrimtaret e modernizmit argjentinas. Storni filloi të shkruante poezi kur punonte si mësuese në Rosario, ku qenë vendosur prindërit e saj. Në vitin 1912 ajo u zhvendos për të jetuar në Buenos Aires ku ra në dashuri me një burrë të martuar. Kjo histori do ta frymëzonte vajzën që kishte nisur të botonte në revistat e kohës për të shkruar vargjet më të bukura për dashurinë. Por takimet e saj me burrat pasoheshin me ndarje. Në një nga poezitë e saj të famshme “Burri i vogël” ajo shpjegon këtë raport që përfundonte gjithnjë me lamtumirë. Sepse sipas saj, “ata e fusnin gjithnjë në një kafaz nga ku ajo donte të shpëtonte”, por, “i kishte dashur, qoftë dhe gjysmë ore”.
Storni do të ishte nga gratë e para që pati sukses në një skenë letrare të mbizotëruar nga burrat, siç ishte ajo e Argjentinës në fillim të viteve 1900. Poezitë e shkrimet e saj u kthyen e në pamflete feministe, pasi ashtu siç shprehej edhe vetë, ajo ishte gjithnjë në anën e një gruaje.

Burrë i vogël, burrë i vogël
Lërë kanarinën të fluturojë
Unë jam një kanarinë, burri i vogël
Më lër të fluturoj…

Vepra e saj letrare, poezi apo vepra teatrale, ishte feministe dhe, sipas kritikëve, karakterizohej nga një origjinalitet i tillë që influencoi shumë në ndryshimin e kuptimit të letrave latinoamerikane. Disa e ndajnë veprën e saj letrare në dy pjesë: njëra me prerje romantike, që e trajton temën nga pikëpamja erotike e sensuale dhe që shpreh zemërim ndaj figurës së mashkullit; dhe etapa e dytë, e cila e lë mënjanë erotizmin dhe e trajton temën nga një pikëpamje më abstrakte dhe refleksive. Ndërsa kritika e mirëfilltë letrare i klasifikon si romantike të vonuara veprat e saj të botuara midis viteve 1916 dhe 1925. Te vëllimi poetik «Okër» gjenden tipare të avanguardizmit dhe mjete letrare si antisoneti. Veprat e saj letrare përbëhet nga trembëdhjetë vëllime me poezi, një komedi me tre akte dhe një libër me ese. Disa nga vëllimet poetike më të rëndësishme të saj janë: “Brenga e trëndafilishtës” (1916), “Okër” (1925) “Poema dashurie” (1926), “Antologji poetike” (1938), etj. Bashkë me poetet e tjera latino-amerikane Juana de Ibarbourou, dhe Gabriela Mistral përbëjnw treshen e poeteve më të mëdha në Amerikën e Jugut.
Letërsia e saj reflekton dhe kohët jo të mira që iu desh të kalonte për shkak të sëmundjes së kancerit që iu shfaq shumë herët. Ankthi, frika dhe pritja reflektohen në shkrimet e saj të fundit. Ashtu si për dashurinë Storni shkroi aq bukur e për dhembjen. E përfshirë nga frika e ikjes ajo kreu vetëvrasje duke u mbytur në det. Trupi i saj do të gjendej në plazh teksa prekej nga dallgët e detit. Ky imazh i fundit i një prej poeteve që frymëzoi aq shumë shekullin e 19-të, do të frymëzonte artistët Ariel Ramirez dhe Feliz Luna ti dedikonin asaj këngën “Alfonsina dhe deti”.
Kjo poete e cila nuk ka ende një libër në gjuhën shqipe, vazhdon të jetë një prekje e bukur dhe e gjatë për këdo që merr në duar një libër të saj.

Top Channel