Studiuesit australianë kanë bërë një zbulim befasues: sipas tyre, mjaftojnë 24 orë pas vendosjes në gjendjen e mungesës së gravitetit, që më shume se  80% e qelizave kanceroze të vdesin.

Kjo ndodhi në laborator, ndaj po planifikohet dërgimi i këtyre qelizave në hapësire për të parë nëse mungesa e forcës së rëndesës ka vertetë këtë efekt mbi sëmundjen e rëndë. Rezultatet fillestare të hulumtimeve të grupit të kërkuesve australianë nga universiteti teknologjik i Sydney  konfirmojnë gjetje e mëhershme tëdisa shkencëtarëve gjermanë.

“Shumë vetë në shoqërinë tonë u sëmurën papritur me kancer, dhe kjo më ka motivuar që të studioj, se çfarë ndodh me qelizat e kancerit. Nuk ka ndonjë çelës të artë për të shëruar kancerin, sepse çdo tip kanceri është i ndryshëm nga tjetri dhe njerëzit reagojnë ndryshe ndaj tij. Megjithatë dëshiroja të dija, a ka diçka, që kanë të përbashkët këto qeliza kanceroze? Prandaj i futa në aparatin e mikrogravitacionit”, tha Joshua Chou.

Eksperimentet me vendosjen artificiale në gjendjen e mungesës së rëndesës rezultuan jashtëzakonisht të suksesshme.  Bashkë me asistentin e tij, Anthony Kirollos, studiuesi kërkon të dërgojë në stacionin kozmik ndërkombëtar, ISS qeliza kanceroze. “Ne duam të zbulojmë, nëse është vërtet mikrograviteti, që ndikon tek qelizat kanceroze, apo janë gjëra të tjera në gjithësi, si për shembull rrezatimi diellor?”, shprehet studiuesi i cituar nga DË, i cili pohon se nga ana teknike është e vështirë, por ndodhemi edhe para sfidës, që t’i mbajmë gjallë këto qeliza dhe t’i kthejnë sërish në Tokë./Irida Vasia

Top Channel