E marta është dita kur rimblidhet parlamenti britanik pas pushimeve verore dhe nesër fillon një betejë e pritshme titanike nga opozita për të penguar planet e kryeministrit Boris Johnson për ta nxjerre Britanine nga BE-ja, më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.

Boris Johnson dhe drejtues të lartë të konservatorëve kanë kërcënuar deputetët e partisë së tij që janë kundër Brexit se nëse do bashkojnë votat me opozitën, ata nuk do të futen në listat e partisë në pushtet, për zgjedhjet e reja të përgjithshme, për të cilat flitet gjithnjë e më shumë se mund të jenë çështje kohe.

Pasi kryeministri arriti të sigurojë pezullimin e përkohshëm të parlamentit duke ua zvogëluar në minimum kohën deputetëve që të rrëzojnë planet e tij për daljen e Britanisë ditën e Halloëeen-it, deputetët e opozitës kanë hartuar ligje që duan t’i miratojnë në parlament kundër daljes pa marrëveshje dhe për këtë kanë nevojë dhe për votat e deputetëve konservatorë që janë pro qëndrimit në BE.

Ndërkohe ish-kryeministri britanik, Toni Blair i kërkon pasardhësit të tij, udhëheqësit të opozitës laburiste, Jeremy Corbyn, që të mos bjerë në kurthin e “ithëtarëve” të Brexit dhe të kërkojë zgjedhje të reja të parakohshme.

Blair thotë se rruga më e mirë për t’u konsultuar me publikun britanik për Brexit, nuk janë zgjedhjet e reja të parakohshme, por mbajtja e një referendumi të dytë.

Kjo javë pritet të jetë vendimtare jo aq, nëse Britania do të dalë ose jo nga BE-ja, por për mënyrën sesi, thënë ndryshe, me ose pa marrëveshje dhe se sa të lehtë do ta ketë ketë misionin kryeministri Johnson.

Arben Manaj, Londër

Top Channel