Bisedimet për krijimin e një qeverie të re në Itali dhe evitimin e zgjedhjeve të parakohshme, kanë hyrë në një fazë finale sot.

Presidenti italian, Sergio Mattarella, ka zhvilluar negociata me liderët e partive në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën politike të shkaktuar pasi kryeministri Giuseppe Conte dha dorëheqjen, javën e kaluar.

Mattarella thotë se ai do të shkrijë parlamentin e vendit nëse deri në mesjavë nuk do të ketë garanci se një koalicion i ri do ti japë vendit një qeveri jetëgjatë.

Conte u dorëhoq pasi zëvendëskryeministri i tij, Matteo Salvini, njëkohësisht Ministër i Brendshëm dhe lider i partisë Lega e Veriut, tërhoqi mbështetjen për qeverinë afro 15 muajshe, në të cilën ai ishte në koalicion me populistët e lëvizjes 5 yjet.

Salvini beson se zgjedhjet e reja do ti sjellin atij postin e Kryeministrit por lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike e qendrës së majtë, janë përpjekur të krijojnë një koalicion të ri funksional, për të evituar shkuarjen në zgjedhje, ç’ka edhe do të prishte planet e Salvinit.

Sidoqoftë, finalizimi i një marrëveshjeje mes tyre është shtyrë, dhe ende nuk është vulosur, për shkak të emrit që do të ngarkohet për krijimin e qeverisë së re të koalicionit. Presidenti Matarella u takua me kryetarët e të dyja dhomave të parlamentit italian, mbrëmjen e të martës, para se të niste takimet me partitë e vogla.

Konsultimet mbyllen sot, pasi Matarella të presë përfaqësuesit e PD, Forza Italia, Legës së veriut dhe 5 yjeve.

Top Channel