Presidenti Brazilian, Jair Bolsonary e refuzoi ndihmën e vendeve të G7-tës për të luftuar zjarret në Amazonë, në një kohë kur edhe vetë qe shprehur më herët se qeverisë vendase i mungojnë burimet e nevojshme për të luftuar zjarret masive.

Njoftimi i paketës 20 milionë dollarëshe të asistencës ishte rezultati më konkret i Samitit tre ditor të demokracive më të industrializuara të botës. Refuzimit të Bolsonaros, Macron iu përgjigj duke thënë se shumë vende të tjera kanë kërkuar ndihmën e grupit.

“I pashë shqetësimet e disa liderëve sipas të cilave sovranitet do të thotë të bëhesh agresiv. Besoj se kjo është tërësisht e gabuar. Ne jemi shtet Sovran, por kur kemi ngjarje madhore e presim me kënaqësi dhe mirënjohje solidaritetin ndërkombëtar, sepse ai nuk është gjë tjetër veçse shenjë miqësie”, shprehet Macron.

Edhe pse fillimisht ministri i Mjedisit, Ricardo Salles iu tha gazetarëve se fondet e G7 për të luftuar zjarret ishin mirëpritura, qeveria braziljane ndërroi kurs, duke deklaruar se nuk kishte nevojë për këto para e duke i akuzuar fuqitë e huaja se kërkojnë kontrollin mbi Amazonën. Qëndrimi i saj solli reagimin e shkrimtarit braziljan me famë botërore, Paulo Coelho, i cili i drejtoi Francës apologjinë e tij.

“Kjo video është pak e trishtuar, por unë do të doja ti ofroja një apologji miqve të mi francezë për këtë krizë, dhe do të thoja qëndrimin histerik të Bolsonaros kundrejt Francës, presidentit francez dhe bashkëshortes së tij. Bolsonaro dhe anturazhi i tij që në këto moment po e shohin Amazonën të digjet, nuk kanë argumente të tjera përveç fyerjes, mohimit dhe fjalëve boshe për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë së vet”, shprehet Paulo Coelho.

Bolsonaro më herët u shpreh se do ta pranonte ofertën vetëm nëse Macron do ti tërhiqte mbrapsht komentet ofenduese që sipas presidentit braziljan i kishte bërë në adresë të tij, ndërsa e vuri në lojë shefin e Elizesë duke i kujtuar Notre Damin, e duke thënë se kur nuk mundi të shmangë zjarrin në një kishë që është pjesë e trashëgimisë botërore, çfarë mund ti mësonte vendit të tij.

Top Channel