Qeveria braziliane tha se do të refuzojë ofertën e vendeve të G7 për ndihmë në luftën kundër zjarreve në pyllin e shiut në Amazonë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, që edhe priti samitin e G7 që përfundoi të hënën, tha se 22 milionë dollarë do të jepeshin si ndihmë për Brazilin. Zyrtarët brazilianë nuk dhanë asnjë arsye për refuzimin e parave, por presidenti Jair Bolsonaro, ka akuzuar Francën se po e trajton Brazilin si një koloni.

Ministri i tij i mbrojtjes tha se zjarret në Amazonë nuk ishin jashtë kontrollit. Duke komentuar ofertën për ndihmë të G7, shefi i stafit të Bolsonaros, tha për mediat braziliane: faleminderit, por ndoshta ato burime nevojiten më shumë për të pyllëzuar Evropën.

“Macron nuk mund të evitojë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë botërore, dhe do të na japë leksione ne për vendin tonë” shtoi ai duke iu referuar kështu zjarrit që shkrumboi katedralen e Notre Damit në Paris, në prill.

Ai edhe tha se Brazili mund t’i japë leksione çdo vendi se si të mbrojë pyjet. Një numër rekord zjarresh po digjen në Brazil, kryesisht në Amazonë, sipas agjencisë të kërkimeve hapësinore të vendit, INPE. Presidenti Macron, javën e shkuar, i cilësoi zjarret, një krizë ndërkombëtare.

Më herët ndërkohë, Bolsonaro kish’ thënë se qeveria e tij nuk ka burime për të luftuar numrin rekord të zjarreve në Amazonë. Kritikët e kanë akuzuar atë se po e përkeqëson shpyllëzimin e Amazonës përmes retorikave antiambientaliste.

Top Channel