Qeveria gjermane pret që ekonomia më e madhe e Evropës të kalojë në recesion në tremujorin e tretë, raportoi të premten revista Der Spiegel.
Prodhimi gjerman ra me 0.1% në periudhën prill-qershor, për shkak të rënies së eksporteve. Qeveria gjermane ende nuk parashikon një krizë të rëndë ekonomike – me kusht që konfliktet botërore të tregtisë të mos përshkallëzohen, dhe nëse Britania e Madhe nuk e lë Bashkimin Evropian pa marrëveshje, thuhet në raport.
“Prandaj ne nuk shohim asnjë arsye për masa afatshkurtra për të stabilizuar ekonominë”, thuhet në dokument, sipas Der Spiegel. Një zëdhënës i qeverisë nuk pranoi të komentojë raportin. Më parë, një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë tha se Gjermania nuk ishte në recesion. Ditë më parë, tregjet e aksioneve në Evropë pësuan rënie, të nxitura nga frika e investitorëve për një recesion botëror. Rënia e shitjes në nivel botëror erdhi mes shqetësimeve për luftën tregtare të SHBA-së dhe Kinës dhe ekonominë botërore në përgjithësi. Lëvizjet në tregjet botërore u interpretuan si një shenjë paralajmëruese për një recesion të mundshëm në ekonomitë e mëdha. Historikisht, lëvizjet e tilla kanë qenë një tregues i besueshëm i recesioneve të mundshme.
Top Channel