Ishulli Evia në flakë/ Greqia kërkon ndihmën e BE-së për shuarjen e zjarreve

14/08/2019 15:20

Qindra banorë janë evakuuar dhe kryeministri grek ka anuluar pushimet pasi dhjetëra zjarrfikës po përballen me zjarret në ishullin e dytë më të madh të vendit, Evia.

“Gjendja është jashtëzakonisht e vështirë dhe prioriteti i parë i yni është të mbrojmë jetët e njerëzve”, tha Kiriako Micotaqis për gazetarët jashtë qendrës së departamentit të zjarrfikësve që po menaxhon operacionet, pasi më herët kish’ anuluar pushimet në ishullin e Kretës.

Micotaqis shtoi edhe se katër avionë Kanadair nga Kroacia dhe Italia i janë bashkuar përpjekjeve për të shuar flakët pasi Greqia kërkoi ndihmën e BE-së. Pasi ra nata, ekipet e zjarrfikësve luftuan për të mbrojtur disa fshatra, pasi më herët kishin evakuar banorët.

Zjarri në ishullin e dytë më të madh të Greqisë, pas Kretës, i ndodhur në verilindje të Athinës, nisi në një zonë të mbrojtur dhe u përhap shpejt nga erërat e forta. Tymi dhe flakët mund të shiheshin madje edhe nga kryeqyteti grek, 90 km larg.

Mbi 200 zjarrfikës kanë luftuar me flakët të mbështetur nga 75 makina zjarrfikëse, pesë helikopterë dhe gjashtë avionë në një front prej 11 km. Greqia është prekur një nga seri vatrash zjarri që nga fundjava. Disa vatra zjarri janë vënë nën kontroll në ishullin Thasos dhe rajonin e Peloponezit.

Të hënën, një zjarr i madh në pyje kërcënoi shtëpitë në periferinë lindore të Athinës, ndërsa dy vatra të tjera u shuan në maratonë, afër Matit, resortin ku 102 persona humbën jetën vitin e kaluar, në tragjedinë më të rëndë në vend si pasojë e zjarreve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA