Hyri në “vorbullën” e FIFA-s për shitjen e Botërorit, kush është Joshua Kushner? Investitori miliarder, vëllai i dhëndrit të Trump, por kundërshtar i tij
Peter Chadwick kishte qenë në arrati për gati katër vjet, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, kur policia e Kalifornisë nisi një podkast rreth krimit. Ai u kap në Meksikë 10 muaj e 20 ditë më vonë.
Karen Schepers kishte qenë e zhdukur për më shumë se katër dekada kur një forcë tjetër policore, në Illinois, transmetoi episodin e parë të një podkasti vitin e kaluar në lidhje me rastin e pazbardhur, dhe trupi i saj u gjet në fund të një lumi brenda disa javësh.
Tani hetuesit e Kolorados shpresojnë të sjellin të dhëna të pakapshme edhe për një vrasje të pazgjidhur 10-vjeçare. Departamenti i Policisë së Auroras (APD) publikoi podcastin e vet këtë verë në një përpjekje për të arritur drejtësi për Chelsea Yasser, 21 vjeç, e cila u gjet e therur për vdekje në parkingun e një qendre tregtare në vitin 2016.
Ndërsa gjigandi i përmbajtjes së krimit të vërtetë vazhdon të lulëzojë, departamentet e policisë në të gjithë SHBA-në dhe jashtë saj po i drejtohen prodhimit të podkasteve për ndihmë në zgjidhjen e rasteve të vrasjeve të paqarta dhe hetimeve të tjera.
“Zhanri i krimit të vërtetë – qoftë televizion, podkaste, libra – dua të them, është jashtëzakonisht popullor. Dhe ne absolutisht ishim të qëllimshëm në përpjekjen për të përfituar nga ajo audiencë më e gjerë”, tha Joe Moylan, oficeri i informacionit publik i Departamentit të Policisë së Aurora-s.
Fenomeni është ende në hapat e para dhe sjell përfitimet dhe rreziqet e veta, por ekspertët besojnë se trendi do të rritet.

“Mendoj se është një mjet që të gjithë do ta përqafojnë përfundimisht. Podkastet e krimeve të vërteta mund të transmetojnë informacione të pasakta, por në këtë mënyrë policia arrin të kontrollojë atë që është atje dhe të kërkojë informacione të reja“, deklaroi Michael Alcazar, detektiv në pension i NYPD-së dhe profesor i asociuar në Kolegjin e Drejtësisë Penale John Jay.
Por është më e rrallë që podkastet e prodhuara nga departamentet e policisë të përqendrohen në raste të pazgjidhura dhe të kërkojnë këshilla, siç kanë bërë departamentet e Kalifornisë, Kolorados dhe Illinois.
Programet policore janë të natyrës episodike, duke përvijuar krimet, viktimat dhe hetimet me një stil narrativ dhe detaje interesante, në të njëjtën mënyrë siç bëri podkasti inovativ i krimeve të vërteta Serial kur debutoi në vitin 2014.
Në Aurora, policia shpresonte të prodhonte një podcast që do të ishte po aq tërheqës, dhe do t’i nxiste dëgjuesit të paraqiteshin me çdo informacion të rëndësishëm.
Vrasja e Chelsea Yasser është përshkruar nga podkasterët si “Balena e Bardhë”, e famshme për Moby Dick, duke pasur parasysh sa gjatë i ka përndjekur hetuesit.
Yasser u godit me thikë për vdekje pasi hipi në një mjet që ndaloi në parking, ajo u rrëzua pak çaste pasi doli nga aty. Pamjet e paqarta të kamerave të sigurisë kapën furgonin që lëkundej ndërsa ndodhte sulmi, por imazhet nuk ishin aq të qarta sa të dallonin një fytyrë dhe ADN-ja e gjetur nën thonjtë e saj nuk përputhej me askënd në sistem.

Ndërsa APD publikoi podkastin në qershor, detektivët po testonin ADN-në duke përdorur teknologjinë e re të gjenealogjisë mjeko-ligjore, dhe programi i përditësonte dëgjuesit rreth linjave të tjera të reja të hetimit.
Departamenti ka bërë thirrje për informacion mbi vrasjen e Yasserit edhe më parë, por podkasti mund të ofrojë një rrjet shumë më të gjerë për dëshmitarët dhe informatorët, thotë Moylan.
“Nëse nuk do të kishit qenë duke parë lajmet atë natë kur ndodhi, ose nëse nuk do të kishit marrë një gazetë, mund të mos dinit asgjë për këtë rast, kështu që ne donim të përfshiheshim në atë audiencë më të gjerë. Duke supozuar se i dyshuari është ende gjallë dhe diku atje, ai mund të jetë kudo në vend”.
Podkasti ishte shkarkuar 7,184 herë deri në fund të korrikut, sipas APD, duke dhënë disa të dhëna, përfshirë një të cilën hetuesit vazhdojnë ta ndjekin. Shumica e departamenteve nuk kanë stafin, buxhetin ose kohën e nevojshme për të prodhuar përmbajtje podkastesh, as nuk kanë pajisjet ose ekspertizën e nevojshme.
Të tjerë ngurrojnë nga frika e pasojave, padive dhe përgjegjësisë civile, thotë detektivi në pension Alcazar.

Në Kaliforni, podkasti i Departamentit të Policisë së Newport Beach rreth të arratisurit Chadwick, për shembull, nuk kaloi pa polemika. Milioneri u prezantua para shikuesve në Episodin 1 si “një burrë që vrau gruan e tij në komunitetin paqësor bregdetar të Newport Beach, Kaliforni, në tetor 2012”.
Chadwick ishte akuzuar dhe kishte deklaruar se nuk ishte fajtor, por nuk ishte gjykuar, megjithatë podkasti nuk e përdori fjalën “i dyshuar” dhe e quajti milionerin “vrasës”.
Kritikët argumentuan se kjo binte ndesh me parametrat e pafajësisë përpara se të provohej fajësia dhe se puna e policisë ishte të hetonte, jo të gjykonte.
Podkasti u prodhua dhe u drejtua nga oficerja e informacionit publik Jennifer Manzella, e cila e mbrojti zgjedhjen në atë kohë, duke thënë se policia “nxori të njëjtat lloje deklaratash gjatë gjithë kohës”.
Ajo i tha BBC News se po përpiqej të ekuilibronte rrëfimin e historisë në një mënyrë tërheqëse pa rrezikuar hetimin.
Pas arrestimit të Chadwick në gusht 2019, ai u deklarua fajtor për vrasje të shkallës së dytë dhe u dënua me 15 vjet deri në burgim të përjetshëm – ku edhe mbetet.
Manzella thotë se nuk ishte një informacion i drejtpërdrejtë nga podkasti që çoi në kapjen e tij, por padyshim që ndihmoi sepse ushtroi presion mbi Chadwick ndërsa ishte në arrati, duke e bërë atë më të prirur të bënte gabime.
Dhe hetuesit arritën të merrnin urdhër-arreste dhe ekstradime “në kohë rekord” për shkak të ndërgjegjësimit, podkasti arriti vendin e 24-të në listën e iTunes.
Pas podkastit, dhe kapjes së Chadwick, ajo mori telefonata nga departamente dhe agjenci të tjera të interesuara për të prodhuar diçka të ngjashme.
Megjithatë, ndërsa departamentet e tjera përballen me çështje buxhetore dhe burimesh, ekziston një konsensus se podkastet si një mjet hetimor do të shihen më shpesh.
Nëse departamentet e policisë mund të gjejnë stafin për ta mbështetur atë, podkastet mund të ndihmojnë si në rekrutimin ashtu edhe në mbajtjen e stafit, thotë Janice Iwama, profesoreshë e asociuar në departamentin e drejtësisë, ligjit dhe kriminologjisë në Universitetin Amerikan. U jep dëgjuesve mundësinë të mësojnë më shumë rreth asaj se si është në të vërtetë policimi, nga goja e oficerëve në punë.
Ndryshimi brezash mund ta nxisë gjithashtu këtë trend, thotë detektivi në pension i NYPD-së, Alcazar, sepse oficerët e rinj të policisë do të jenë më të gatshëm të përqafojnë mundësitë e ofruara nga podkastet dhe mediat sociale.
“Kjo është bota e tyre. Kjo është ajo me të cilën ndihen më rehat“, tha ai.
Top Channel