Nga një zonë e cila njihej për fasadat e amortizuara të pallateve, për shkak të mosvënies dorë për vite me radhë, falë nismës së Bashkisë së Tiranës me Fondin e Komunitetit, sot i gjithë blloku pranë Rr. “Dhimitër Shuteriqi” e “Ndrek Luca” është transformuar tërësisht.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi pallatin e fundit që iu nënshtrua rehabilitimit, duke krijuar mundësi që projekti të shtrihet edhe në lagje të tjera të kryeqytetit. Ai tha se falë bashkëpunimit të komunitetit të zonës, të cilët aplikuan për Fondin e Komunitetit, ky bllok pallatesh ka dalë në dritë.

“Është një ditë përvëluese vere, e megjithatë është akoma më i mirë lajmi që një bllok i tërë pallatesh ka dalë në dritë falë kontributit të qytetarëve. Njiheshin si pallatet e Arabit, ishin një njollë turpi në urbanistikën e Tiranës, të bëra në vitet e rrumpallës, vitet ’90, pa plan, pa urbanizim, pa ashensorë, pa kanalizime, pa infrastrukturën e nevojshme. Rikthehemi në një kryqëzim të dy njerëzve të mëdhenj, “Dhimitër Shuteriqi” e “Ndrek Luca”, dhe sigurohemi që blloku që kufizohet nga këto dy emra të mëdhenj të jetë po ashtu diçka me vlerë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të përfituar të gjithë së bashku, në mënyrë që investimi të ketë duk dhe prona e tyre të marrë një vlerë të shtuar.

“Dua të falenderoj dhe t’u kërkoj të gjithë banorëve bashkëpunim. Dua t’u kujtoj atyre, që ndonëse mund të jenë pallate të kohës së vjetër, janë pronë private, pra janë privatizuar diku nga viti ‘93-‘94, ndaj të gjithë duhet të kuptojnë që administrimi i përbashkët nënkupton që secili me vullnet të lirë bashkon pronën e vet me të tjerët, për t’u siguruar që e përbashkëta është diçka që i sjell vlerë asaj që është e përvetshme dhe private. Duhet që të gjejnë gjuhën e përbashkët në mënyrë demokratike, që investimi të ketë duk”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi kontributin e çmuar të administratorëve për rolin e tyre si ndërmjetës mes komunitetit dhe bashkisë, teksa i cilësoi si heronjtë e vërtetë urbanë.

“Heronjtë e vërtetë urbanë janë administratorët e pallateve që bëjnë njerëzit bashkë, që gjejnë konsensusin e gjuhën e përbashkët mes njerëzve. Këta janë heronjtë e Tiranës sot, ndaj dua të falenderoj gjithë ushtrinë e administratorëve që bëjnë ndoshta punën më të vështirë në qytet. Puna e të bërit të njerëzve bashkë, të siguruarit e një jete komunitare, të votuarit në mënyrë demokratike për ata që i administron, të paguarit e një fature modeste për t’u siguruar që pallatet të mirëmbahen, është në një ndër heroizmat e shekullit të ri”, tha Veliaj.

Administratori i pallateve, Adem Cemurati vlerësoi Bashkinë e Tiranës për mundësinë e krijuar përmes “Fondit për Komunitetin”, ç’ka ka sjellë rritje të cilësisë së jetesës në komunitet.

“Me Fondin e Komunitetit në këtë zonë janë rikonstruktuar fasadat e pallateve, janë veshur të gjitha me termoizolim. Banorët kanë pasur shumë interes, përsa i përket anës ekonomike, pasi do kursejnë energjinë elektrike, si në verë dhe në dimër. Po ashtu edhe nga ana estetike, pasi fasadat kanë marrë një pamje fantastike”, theksoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA