Frymëzuar nga “Nata e Yjëzuar” e Van Gogut, festivali i netëve klasike në Durrës uli siparin në Amfiteatrin Antik me një nga kryeveprat e muzikës botërore, “Katër Stinët” e Vivaldit.

Nën interpretimin plot mjeshtëri dhe  finesë të violinistit Daniel Vlashi, familjes së tij dhe Orkestrës Rinore Durrës artdashësit shijuan tingujt magjikë të natyrës në të gjitha stinët e saj.

Për kompozitorin e mirënjohur durrsak, Hajg Zaharian kjo vepër që rikthehet pas 30 vjetësh në Durrës e mbyll bukur këtë edicion të festivalit që gjithnjë vjen me ide të reja për publikun.

“Na vjen dhe mirë dhe keq që mbaroi. Na vjen mirë se kontribuam në sfondin kulturor të përgjithshëm të qytetit tonë dhe të pushimeve që kaluan shumë veta këtu. Kontributi ynë është krejtësisht i veçantë nga shumë kontribute të tjera dhe është i lidhur me artin, muzikën. Ky edicion i nëntë i festivalit, ashtu si dhe edicionet e tjera lidh artin me mënyrën e të parit të jetës. Edicioni i parë u organizua në gërmadhat e një ndërmarrjeje të vjetër, ndërsa ky edicion vjen si një harmoni mes muzikës dhe verës. Stinët e Vivaldit është një vepër që ia vlen të shijohet në këtë ambjent të bukur të Amfiteatrit”, tha Hajg Zaharian, Drejtor Artistik i Bienales.

Në vitin 1989, koncertet e “Stinëve”, përfshi dhe sonetet shoqëruese, u interpretuan për herë të parë në Shqipëri, në Durrës, nga “Formacioni i harqeve Jan Kukuzeli” nën drejtimin e Florian Vlashit, violinistit që e ka zhvendosur karrierën e tij në Spanjë e skenat më të njohura botërore.  Natën e kaluar, interpretimi në një frymë të re, me solist e interpretues të tjerë, mahniti të pranishmit që e ndoqën atë nga arena dhe shkallaret e Amfiteatrit.

Top Channel