Kryeministri Edi Rama ka folur edhe njëherë për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar.
Në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, kreu i qeverisë garantoi së asnjë centimetër e territorit ku gjendet sot Teatri nuk do shfrytëzohet për ndonjë qëllim tjetër, përveçse për ndërtimin e një Teatri të ri.
“Është kryekëput e pavërtetë se do t’i jepen privatit pjesë nga trualli që sot ka teatri. E dyta, pjesa nga bashkia që do t’i japë është një karakatinë parkingu. Ajo gjendet jashtë pjesës fundore të murit të teatrit.
Ai truall do të jepet në këmbim të investimit që bashkia do t’i japë privatit për të financuar Teatrin. Bashkimi i interesave të publikut dhe privatit në këtë rast është thuajse ideal sepse jemi në kushtet e një partneriteti publik dhe privat që nuk u kushton taksapaguesve.
As nuk po shembim ndonjë vlerë arkitektonike dhe as nuk jemi ne që mund të akuzohemi si indiferentë të asaj pjese. Madje është merita jonë që pjesa e çmuar e asaj pjese doli në dritë që nga kompleksi i ministrive e deri tek tribuna qendrore e Gerardo Bozës”, tha Rama.
Duke e cilësuar si një ngrehine, Rama tha se rikonstrukturimi i godinës do ishte e kotë, pasi ndërtesa nuk ka hapësirat për të përmbushur funksionet e një Teatri Kombëtar.
“Edhe sikur të donim ta ruanim dhe ta restauronim ngrehinën e sotme të teatrit do të ishte investim thuajse i pamundur sepse materiali ndërtimor iu asaj ngrehine është i pa rikuperueshëm por edhe i kotë deri në absurd sepse ajo ngrehinë nuk ka asnjë vlerë, por nuk ka as hapësirat e mjaftueshme”, tha Rama.
Top Channel