Larg tensioneve politike të ditëve të fundit, spektakli më i dashur i humorit shqiptar “Verë dhe Portokalle” u ndal në qendër të qytetit bregdetar të Durrësit duke dhuruar të qeshura dhe argëtim për qytetarët dhe pushuesit e shumtë që mbushën sheshin “Liria” mbrëmjen e kaluar.

“Më mirë të qeshim sesa të qajmë me këta politikanët që kemi”, tha një qytetar.

Në këtë sezon Durrësi shndërrohet në kryeqendër të vendit, ndaj aktorët vlerësuan pritjen e shkëlqyer që u bëri ky qytet.

“Po shkon shkëlqyeshëm. Portokallia është dhe do të ngelet gjithnjë on the top. Na kanë pritur shkëlqyeshëm. Është një supershfaqje, të paktën këtu në Durrës ku ka dhe shumë turistë. Jemi me zemrën plot për këtë qytet dhe na kanë bërë shumë krenarë”, tha Rezart Veleshnja.

Përmes humorit, spektakli godet edhe dukuri të ndryshme të shoqërisë e politikës, ndërsa ka rikthyer këtë verë edhe personazhe të dashur për publikun ndër vite.

“Jemi në qytetin e bukur të Durrësit dhe unë sapo mbarova numrin e Kimetes dhe do të jem me një tjetër numër shumë të dashur, Çerrin e Patosit, Miss Dhoqina, një personazh që ne e kemi rikthyer këtë verë te Portokalle 2019. Durrësi ishte mbushur plot e për plot. Është një publik jashtëzakonisht i mirë. Dëgjojnë shumë e na duartrokasin. Risia këtë verë është që të gjithë numrat, tekstet kanë mesazhe dhe godasin fenomene politike e shoqërore, kulturore shumë aktuale”tha aktorja Delinda Zhupa.

Nata e spektaklit ishte dhe një mundësi e artë për fansat e grupmoshave të ndryshme për të fiksuar një kujtim me aktorët më të dashur të humorit shqiptar.

Top Channel