Një libër që prej kritikës është quajtur një manual për politikanët, diplomatët, intelektualët, studentët apo të gjithë qytetarët që kërkojnë të njohin dhe sintetizojnë mendimin për periudhën e evoluimit të shtetit shqiptar gjatë 70 viteve të fundit.

Prof. Adrian Civici ka shkruar shumë libra, por ky më i fundit nuk është një libër ekonomie. Në një intervistë për Vitrina e Librit në Top Channel, Prof. Civici thotë se libri ka një natyrë deri diku racionale e analitike, që prej fillimit të diskutimeve mbi vendosjen e socializmit e deri te tranzicioni e kapitalizmi.

Ai në këtë libër kërkon të shkojë në brendësi të modelit të njeriut të ri, i cili sipas tij nuk ishte një model intelektuali por karakterizohej nga sjellje të përcaktuara prej moralit komunist. Shpesh ne shtronim pyetjen, pse u prishën në mënyrë aq demonstrative kishat dhe xhamitë, shton ai gjatë bashkëbisedimit, por e vërteta është se ato u prishën për shkak se në vetvete ideologjia marksiste-leniniste ishte një fe më vete.

Dhe dy fe bashkë nuk mund të ekzistonin.

Ndërkohë që reflektimet e intelektualëve dhe mendimtarëve shqiptarë mbi komunizmin sa vijnë e shtohen, libri nga ana tjetër sjell edhe tranzicionin e zgjatur dhe të pambaruar. Debatet dhe analizat për fundin e tranzicionit janë të zbehta. Prandaj edhe profesor Civici e kërkon debatin, sidomos tani që libri është në duart e lexuesve.

Do të isha i lumtur që këto mendime të bëheshin pjesë e një debati publik, thekson ai, pavarësisht opinionit që mund të ketë gjithsecili që shoqëria jonë të ketë një lloj vetëpastrimi.

“Udhëtim në tri kohë” vjen si një dialog me gazetaren Alda Bardhyli e cila nënvizon se ky dialog le të shërbejë si një reflektim apo dhe një ftesë për intelektualët, shkencëtarët, por edhe studiuesit që duan të mësojnë më shumë mbi historinë e shtetit shqiptar.

Top Channel