Sipas mediave franceze, pema e mbjellë nga presidentët Donald Trump dhe Emmanuel Macron në shtëpinë e bardhë, si simbol i lidhjeve mes vendeve të tyre, është tharë.
Lisi iu dha si dhuratë presidentit amerikan gjatë vizitës së Macron në 2018. Që atëherë, marrëdhëniet mes dy liderëve nuk kanë qenë shumë të ngushta, me të dy ata që kanë ecur në drejtime të ndara, në çështje të ndryshme. Dhe tani, duket se edhe pema nuk ka patur fat të mirë.
Disa gazeta franceze, mes të cilave Le Monde dhe Le Figaro, kanë raportuar për zhdukjen e pemës, duke cituar burime diplomatike.
E gjithë bota shikonte ndërsa pema mbillej nga të dy presidentët, në praninë e bashkëshorteve të tyre në 2018. E ky ishte një moment simbolik për të dyja vendet. Pema vinte nga pylli Bello, afër Parisit, kur thuajse 2 mijë amerikanë humbën jetën në një betejë në qershor 1918, gjatë luftës së parë botërore. Por disa ditë më pas, pema u hoq dhe u vendos në karantinë, sipas procedurave të detyrueshme për importin e organizmave të gjalla në shtetet e bashkuara.
Pema nuk u rikthye kurrë. Një burim diplomatik, tha për AFP se ajo ishte tharë ndërsa ishte në karantinë.
Top Channel